Mësoni masat speciale policore për ditën e ndeshjes Shqipëri – Serbi

Drejtoria e Policisë Qarkut në Elbasan, ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë.

Drejtoria e Policisë së Qarkut në Elbasan, kanë bërë të ditur se tashmë kanë përgatitur gjithçka sa i përket ditës së 8 tetorit, kur do të zhvillohet ndeshja mes Shqipërisë e Serbisë, raporton NOA.bas

Nga ora 08:00 e mëngjesit, në ditën e ndeshjes historike për Kombëtaren shqiptare, policia ka bërë të ditur se do të bllokohen disa segmente rrugore si dhe do të ndalohet qarkullimi i mjeteve në këto akse rrugore, konkretisht:

Bulevardi “Qemal Stafa” që fillon nga Posta deri në dalje të unazës për në Librazhd

Bulevardi “Aqif Pasha”, që fillon nga 1 Maji deri tek ish-konservimi i vjetër

Nga ish-konservimi i vjetër deri tek Hajrullajt.

Nuk do të lejohet parkimi i mjeteve nga rrethrrotullimi i luleve deri tek rrethrrotullimi i Zaranikës.

Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit.

Nuk do të lejohet lëvizja dhe parkimi i mjeteve në dy bulevardët kryesorë.

Hyrja e sportdashësve do të fillojë në orën 16:30 dhe do të mbarojë në orën 20:15, me qëllim shmangien e radhëve të gjata në hyrje për në stadium.

Lidhur me ndeshjen do të angazhohen 1500 punonjës policie, nga këto 308 punonjës policie do të jenë nga Drejtoria e Policisë Qarkut Elbasan.

Nuk do të lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë.

Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete:

a) sende të forta,

b) shishe (të çfarëdolloj)

c) fishekzjarrë

d) monedha apo metale (të çfarëdolloj)

Në të kundërt nuk do të lejohen të futen në stadium.

Në hyrje të stadiumit do të kontrollohen të gjithë sportdashësit.

Të gjitha lokalet që ndodhen në Bulevardin Aqif Pasha, nga Stadiumi deri tek Shatërvani, nga ora 12:00 dhe deri në përfundim të ndeshjes do të jenë të mbyllura.

Në të gjitha ballkonet, ambientet dhe pallatet përreth Stadiumit, nuk do të lejohen persona që nuk janë pjesëtarë të familjes.

Drejtoria Policisë Elbasan i kërkon qytetarëve që të minimizojnë më datë 8 Tetor 2015, lëvizjen e tyre me automjet brenda qytetit të Elbasanit, ç’ka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti.

Lajme të ngjashme

Back to top button