Shqetësimet e qytetarëve të trajtohen përmes qytetarëve

[Recension: “Aksioni i Lëvizjes BESA në Saraj: Ngjiten posterat “BDI mos flej ndërto urën e Llokës”]

Në media, janë bërë të zakonshme lajmet që trajtojnë vetëm njërën anë të çështjes dhe nuk bëjnë ballafaqimin e qëndrimit të palëve të përfshira. Arsyet mund të jenë të ndryshme. Por me një vështrim sipërfaqësor, kjo merret si anshmëri e gazetarit ose e medias.

TetovaSot - Aksion i Levizjes BESA ne Saraj - ngjiten posterat BDI mos flej nderto uren e Llokes 1Linku deri te artikulli origjinal: “Aksioni i Lëvizjes BESA në Saraj: Ngjiten posterat “BDI mos flej ndërto urën e Llokës
Data e publikimit: 03.10.2015
Data e recensionit: 04.10.2015
Recensues: Fatlume Dervishi

Teksti që analizojmë konsiston në raportimin për një aksion të subjektit politik, Lëvizjes BESA, kundër një institucioni, Komunës së Sarajit. Në të raportohet për postera të ngjitur në lokacione të ndryshme ta banuara në Saraj me anë të të cilave, siç thuhet aty, “kritikohen përfaqësuesit komunal nga rradhët e BDI-së për mosinteresimin e ndërtimit të Urës në Llokë”.

Autori vazhdon të citojë burimin e vetëm të informacionit të tij, Lëvizjen BESA, në reagimin e të cilës thuhet:

“Kërkesat e banorëve të fshatit Llokë për ndërtimin e urës që e lidhë këtë fshat me lagjen e Gjorçe Petrovit, vazhdojnë të hasin të vesh të shurdhët te Komuna e Sarajit. Banorët e fshatit Llokë janë gënjyer vazhdimisht gjatë cikleve zgjedhore, mirëpo gjithçka ka ngelur vetëm premtim.”

Në fakt, ky rezulton të jetë mendimi i subjektit në fjalë, Lëvizjes BESA, sepse autori nuk ka pasqyruar asnjë qëndrim nga ndonjë banorë i fshatit Llokë i cili do të shihej si më objektiv dhe më kompetent për të folur për shqetësimet e banorëve të zonës që vinë si pasojë e mungesës së urës kaluese mbi lum.

Është detyrë e gazetarit të trajtojë problematika shqetësuese për një grup të caktuar të qytetarëve dhe është mëse e guximshme dhe profesionale të kërkohet llogari nga institucionet dhe personat përgjegjës të mbajnë llogari para qytetarëve për premtimet e dhëna. Por duhet me kujdes të zgjidhet një mënyrë më transparente dhe objektive për të trajtuar problemin. Të trajtosh problemin vetëm përmes palës që bën akuzat, që në rastin konkret është një subjekt politik kundër një tjetri, flet për njëanshmëri dhe subjektivitet gjatë raportimit. Një parti politike, kundrejt një partie tjetër. Natyrisht, arsyet para së gjithash janë politike.

Është e pakuptueshme pse autori i tekstit e ka parë të arsyeshme që dikush tjetër të flasë në emër të qytetarëve, kur, i artikuluar nga një qytetar, shqetësimi mund të tingllonte më i sinqertë dhe publiku e din se ai nuk ka interesa për përfitime të tjera përveç atyre që shpreh.

Pasqyrimi i qëndrimit të palës tjetër, asaj drejt të cilës shkojnë akuzat, Komunës së Sarajit, do t’i jepte lexuesit një pasqyrë më të qartë se çfarë realisht ndodh.

Manipulimi me “teknika” të këtilla është shumë i pranishëm por njëkohësisht është kërcënim për profesionalizmin e profesionit të gazetarit.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button