Ushqeni fëmijët në mënyrë të drejtë!

Mëngjesi është më i rëndësishmi në ushqimin e drejtë të të rinjve, sepse siguron energjinë e domosdoshme, e cila është e nevojshme për fillim të ditës, përmirëson kujtesën dhe të kuptuarit, si dhe kontribuon për disponim më të mirë në shkollë, transmeton Koha.net.

Hulumtimet kanë treguar që fëmijët dhe adoleshentet të cilët e kapërcejnë vaktin e parë të mëngjesit kanë rezultate më të këqija në teste. Gjatë ditës po ashtu është e rëndësishme që të mos kapërcehen vaktet kryesore, ndërsa ushqimet në mes vakteve (në formë zamre) nuk duhet të jenë zëvendësime për drekë dhe darkë.

Ushqimi sportiv
Ushqimi duhet të jetë i balancuar dhe i shumëllojshëm, ndërsa për të funksionuar në mënyrë normale organizmi duhet të jetë i furnizuar me sasinë e nevojshme të karbohidrateve, proteinave, albuminave, yndyrave dhe vitaminave. Karbohidratet duhet të plotësojnë 50-60 për qind të nevojave energjetike të organizmit të ri, dhe veçanërisht tek ata që merren me sport. Fëmijët e tillë duhen të hanë ushqim të pasur me karbohidrate dy deri katër orë para treningut, transmeton Koha.net. Duhet të kenë edhe një gjysmë-shujtë apo zamër mes vakteve një orë para treningut, lojës apo ndonjë forme tjetër garimi. Kjo rregull vlen edhe për personat të cilët merren me sport në mënyrë amatore. E rëndësishme është që të plotësohen rezervat e karbohidrateve deri dy orë pas aktiviteteve sportive, dhe atë me gjëra që treten lehtë siç janë bananet, drithërat apo keksi integral.

Përbërësit më të rëndësishëm
Proteinat janë të domosdoshme për rritje dhe rigjenerim të indeve. Do të duhej të përmbushin 10-15 për qind të konsumit total ditor të energjisë. Nevoja për proteina përmbushet me ushqime të origjinës bimore dhe shtazore, por proteinat me origjinë shtazore kanë vlerë më të madhe biologjike. Për këtë veçanërisht duhet të kenë kujdes vegjetarianët. Yndyrat nuk janë vetëm burim i rëndësishëm i energjisë, por e lehtësojnë edhe absorbimin e vitaminave të cilat shkrihen në yndyra – A, D, E dhe K. Në mesin e artikujve ushqimorë janë veçanërisht të rëndësishme qumështi me yndyrë të plotë, djathi dhe gjalpi, por edhe vajrat e lëngshme, ndër të cilat më i shëndetshmi është ai i ullirit. Vitaminat me mineralet janë veçanërisht të rëndësishme për mbajtjen e sistemit të imunitetit dhe shëndetit të përgjithshëm. Më së shumti gjenden në pemë dhe perime, prandaj edhe rekomandohet konsumi ditor i këtyre ushqimeve në pesë vakte. Një vakt nënkupton një gotë me një pije të caktuar, copë të frutit të freskët apo një pjatëz sallate.

Konsumimi i lëngjeve
Lëngjet në sasi të mjaftueshme janë të domosdoshme për funksionim të mirë të organizmit. Për të arritur këtë, të rinjtë duhen të pinë më së paku pesë gota të mëdha uji në ditë. Në të kundërtën, edhe tek mungesa më e vogël e lëngjeve mund të vijë deri te dhimbja e kokës, lodhja dhe përgjumja. Lëngjet do të duhet t’i marrin në kohë të caktuar, dhe jo kur ndihet nevoja për to, sepse momenti i etjes nënkupton që organizmi tashmë është i dehidruar. Edhe pse uji i zakonshëm është pija më e mirë, personat të cilët nuk kanë nevojë të theksuar për të mund të pinë në mënyrë paralele qumësht dhe lëngje natyrale të pemëve, porosisin nutricionistët.

Rënia e inteligjencës
Sasitë e mëdha të yndyrave dhe sheqerit në ushqim të fëmijëve në moshë më të vogël, mund të sjellin deri të zvogëlimi i koeficientit të inteligjencës së tyre. Kjo shihet madje edhe posa i mbushin tetë vite, kanë treguar rezultatet e hulumtimit më të ri britanik. Shkencëtarët kanë ardhur deri te ky rezultat duke vëzhguar mënyrën e jetesës dhe shëndetin e 14.000 fëmijëve britanikë, të cilët kur ishin shumë të vegjël ishin të ushqyer me ushqime industriale të pasura me yndyra dhe sheqerna, transmeton Koha.net. Fëmijët i janë nënshtruar edhe testit të inteligjencës, i cili ka treguar ndikim të dëmshëm të ushqimit të pashëndetshëm në aftësitë e tyre mentale.

Pa produkte të mishit të thatë
Përveç që sallamet, pashtetat dhe virshllet në aspektin nutricionist nuk kanë gati asnjë vlerë ushqyese, përmbajnë sasi më të madhe të polifosfatit dhe nitritit, emulgatorëve të cilët shkaktojnë kancerin dhe shkatërrojnë kalciumin në eshtra, për ç’arsye janë veçanërisht të rrezikshme për fëmijët. Fondi botëror për hulumtim të kancerit thekson që ekziston lidhja mes konsumimit të produkteve të mishit dhe kancerit të zorrëve, prandaj prindërit këshillohen që t’ua japin sa më rrallë ose fare fëmijëve. Përveç kësaj, për shkak të aditivit të cilin e përmbajnë kanë shije të rëndë, dhe nëse e mësoni fëmijën me ushqim të tillë, nuk do t’u pëlqejë më shija e butë e perimeve.

Lajme të ngjashme

Back to top button