Shkup, gazetarët diskutuan për sfidat e gazetarisë shqiptare

“Media shqiptare sot në Maqedoni” ishte temë diskutimi në tryezën e organizuar me gazetarë dhe redaktorë, nga organizata Metamorfozis, në kuadër të projektit “Shërbimi për verifikimin e fakteve”, raporton Portalb.

Sipas gazetarit Nazim Rashidi, i cili njëkohësisht ishte edhe moderator i tryezës së organizuar foli për sfidat dhe evoluimin e medieve në shqip, media në gjuhën shqipe tashmë më shumë merret me seriozitet nga mediet maqedonase.

“Shembulli i gazetës Koha dhe i televizionit Alsat-M janë tregues më i mirë për suksesin e gazetarisë në shqip”, tha Rashidi.

Sipas kryeredaktores së portalit Portalb.mk, Elida Zylbeari, problemi kryesor i gazetarisë shqiptare është mos-bashkëpunimi dhe mos-vlerësimi i punës së ndërsjellë. Ajo propozoi që gazetarët të mblidhen dhe të punojnë në vet-rregullimin e punës së tyre. Ajo sqaroi se të gjithë mediat e tjera mund ta marrin shembullin e Portalb-it duke publikuar recenzionet e “Shërbimit për verifikimin e fakteve” qëllimi i së cilit është t’u mundësohet lexuesve të dallojnë informatat kualitative dhe profesionale nga materialet joprofesionale mediatike.

“Le të mblidhemi të gjithë dhe të krijojmë marrëveshje brenda nesh për të qenë më profesional. Le t’i caktojmë vet ne rregullat tona të funksionimit duke u bazuar në Kodin etik gazetaresk. Nuk kemi nevojë për ligje kur mund të vet-rregullohemi. Dhe më pas ata që nuk e respektojnë këtë ‘marrëveshje’ mund dhe të vendosen te ‘wall of shame’ (murin e turpit)”, u shpreh Zylbeari.

Gazetari Benjamin Arifi, nga Alsat-M është i mendimit që gazetaria në gjuhën shqipe ka shënuar progres, por që ende po ballafaqohet me sfida të ndryshme.

“Tani, për ngjarjet me interes të përgjithshëm nuk i kemi mediet maqedonase, siç ishte më parë, nga informimi i fundit i televizionit tonë shohim se shpesh ne kemi qenë pikë reference për mediet maqedonase”, theksoi Arifi duke shtuar se sfida më e madhe e medies mbetet krijimi i kuadrove të reja të mirëfillta në fushën e gazetarisë.

Gazetari nga gazeta Koha, Lirim Dullovi, shprehu qëndrim kritik ndaj organizatave jo qeveritare por edhe atyre ndërkombëtare sa i përket motivimit të medieve në gjuhën shqipe.

“Unë mendojë se organizatat e ndryshme ndërkombëtare nuk dallojnë shumë nga qeveritarët tanë. Nuk kam parë ndonjë shembull që fondacionet ndërkombëtare të motivojnë gazetari profesionale, në praktikë po shohim se mjetet po ndahen për mediume që po vrasin profesionalizmin, shembull kishim me raportimet për Kumanovën”, tha Dullovi.

Ai ka përshëndetur nismën e Shërbimit për verifikimin e fakteve, sipas tij fondacionet e ndryshme në këtë mënyrë do të vlerësojnë edhe më mirë se cilat mediume po shpifin dhe cilat po punojnë në mënyrë profesionale.

Venhar Ramadani, përfaqësues i Telegrafit në këtë takim në mes tjerash tha “edhe pse jemi të rinj në hapësirën mediatike, edhe neve na pengon konkurrenca jo e drejtë nga portalet dhe mediumet tjera. Gjithashtu si problem shfaqet edhe gjetja e kuadrove të përshtatshme për t’i rekrutuar dhe të mundohemi të bëjmë gazetari profesionale”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button