Më 9 tetor do të mbahet “Marshimi për shpëtimin e Tetovës”.

Partia për Prosperitet Demokratik informon se Këshilli nismëtar i përbërë nga OJQ-të, shoqatat ekologjike, intelektualë, dhe përfaqësues të partive politike për organizimin e aktiviteteve për ruajtjen e ambientit jetësor, më 9 tetor (e premte) 2015, do të organizojë marshin mbarë qytetare me moton, “Marshimi për shpëtimin e Tetovës”.

Marshimi do të fillojë në orën 13.30 prej sheshit të qytetit të Tetovës deri te ndërtesa e Kuvendit të Tetovës ku të pranishmëve do t’iu drejtohen përfaqësuesit e OJQ-ve, shoqatave ekologjike, përfaqësuesit e partive politike dhe asociacioneve tjera.

“Nxënës, studentë, OJQ, shoqata ekologjike, intelektualë, punëtorë, qytetarë të çdo përkatësie kombëtare, etnike, fetare e gjuhësore, parti politike na bashkangjiteni bashkërisht t’i luftojmë ata të cilët na e rrezikojnë jetën: a nuk e shihni se kemi kollabuar nga mungesa e ujit të pijshëm dhe jemi të asfiksuar sepse prej nesh e vjedhin ajrin e pastër dhe ua shesin të tjerëve, a nuk e shihni se shëndeti dhe jeta jonë vlen më pak se  euro-të që i marrin politikanët e pandërgjegjshëm…

Ju ftojmë bashkërisht të mblidhemi dhe të marshojmë, sepse

-nuk kemi ujë të pastër për pije,

-Jugohromi pa filtra i toleruar nga Qeveria, çdo ditë na e shkurton nga një minutë prej jetës tonë dhe për ata paratë e huaja janë më të  lezeçme se shëndeti dhe jeta jonë,

-riaktivizimi i deponisë së egër na rrezikon jetën tonë dhe të fëmijëve tanë, na e zhduk ardhmërinë,

-prerja e pakontrolluar e drunjtëve dhe shkatërrimi i pyjeve që sjell vërshime dhe rritje të CO2”, thuhet në deklaratën e PPD-së.

Nga PPD-ja, bëjnë thirrje që sa më masovikisht t’i bashkëngjiten protestës paqësore.

“Të tjerët Ju kanë thirrur ta votoni “kryetaren konsensuale” kurse ne Ju thërrasim të votoni për jetën tonë sepse ajri i pastër dhe uji i pastër janë barazi me jetën tonë.

T’i bashkangjiteni Këshillit të përbashkët nismëtar për organizimin e protestave të qeta dhe dinjitoze!

Uji i pastër si dhe ajri i pastër nuk kanë ngjyrosje politike; ato janë shuarje e etjes dhe frymëmarrje e çdonjërit prej nesh!

-Na bashkangjituni, do të ju vijmë pas!”, shkruhet në deklaratën e PPD-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button