LR-PDSH: Buxheti 2016, non-sens numerik

Qeveria e Maqedonisë këto ditë publikoi propozim buxhetin për vitin fiskal 2016. Dhe ashtu siç pritej, mashtrim i vjetër por pak më i trashë. Buxheti i vitit 2016 që është planifikuar në vlerë 3.2 miliardë euro paraqet një non-sens numerik.

“Nëse analizojmë projeksionin për vitit 2015 me 2.8 miliardë euro, i cili sipas të gjitha gjasave deri në fund të vitit nuk do të arrijë realizimin e parashikuar nga qeveria, do të thotë që në buxhetin e vitit 2016 zbrazëtira e mos-realizimit buxhetor do të jetë më e madhe për 500.000.000-600.000.000 euro (pa mos e llogaritur këtu deficitin buxhetor), që paraqet dështim historik me përmasa të librit të rekordeve Guinness”, thuhet në deklaratën e LR-PDSH-së.

Lëvizja për Reforma në PDSH, vlerëson se ekonomia e Maqedonisë është shumë afër dritës së kuqe dhe se alarmi është ndezur, ndërkaq financat publike në Maqedoni shkojnë drejt rrënimit, koston e të cilës do ta bartin qytetarët.

“Brengosës është fakti që këto aventura Qeveria e Maqedonisë do t’i mbulojë nëpërmjet huazimeve nga institucione financiare të huaja dhe të vendit duke rënduar qytetarët me borxhe të pakapërdijshme, duke rrezikuar gjithashtu edhe gjeneratat e reja të cilët pa pikë faji do të obligohen të paguajnë luksozin dhe keq-përdorimin financiar të kësaj qeverie”, thuhet në deklaratën e LR-PDSH-së.

Ato shprehen se investimet bëhen vetëm në pjesën e maqedonasve, ndërkaq në pjesën e shqiptarëve, bëjnë vetëm mbulim të ndonjë grope.

“E keqja e së keqes është se në këtë buxhet nuk figurojnë investime në viset shqiptare. Aty përmenden ndërtimet në autostradat Shkup-Shtip, Demir Kapi-Smokvicë, si dhe rrugët rajonale Radovish-Shtip dhe Shtip-Koçan si investime më të rëndësishme. Për shqiptarët kanë rezervuar mbulimin e ndonjë grope sa për të zhvilluar kampanjën parazgjedhore”, thuhet në deklaratën e LR-PDSH-së.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button