Socialistët mbrojnë koalicionin, Lesi: U pajtuan!

Pas takimeve që pati dy ditë më parë me presidentin Bujar Nishani dhe kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka zhvilluar dje një takim edhe me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Mësohet se Tahiri i është drejtuar zyrës së kreut të Kuvendit menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ndërsa biseda e cila zgjati për rreth 40 minuta, është përqendruar në zhvillimet më të fundit politike në vend, sidomos pas publikimit të letrës së deputetit të LSI-së, Spartak Braho.

Pas këtij takimi, ministri Tahiri është larguar drejt Elbasanit, nga ku tha se vizita në zyrën e kryeparlamentarit ishte pjesë e takimeve rutinë.

“Unë nuk e di se përse përbën lajm. Me Metën, për shkak të detyrës takohem shumë shpesh dhe ky është një nga takimet. Detyra e kërkon që të takohemi shpesh. Prioritetet e qeverisë janë themelore për ne dhe në këtë kuadër është gjithmonë nevoja për takime dhe koordinime”, tha Tahiri duke iu përgjigjur interesit të mediave.

Nga ana tjetër ai ka hedhur poshtë çdo insinuatë të krijuar ditët e fundit në opinioni publik dhe media, se çështja “CEZ” ka çuar në një situatë kritike marrëdhëniet mes PS-së dhe LSI-së si dy aleatet kryesore të koalicionit.

“Koalicioni dhe mazhoranca janë mjaft solide dhe ka prioritet të qartë reformën në drejtësi. Të gjitha fabulat që zakonisht ngrihen në këto raste janë të pavërteta, koalicioni është shumë funksional dhe i gjithi i fokusuar në rrugën e Shqipërisë. Për këto përrallat e tjera për koalicion me PD-në, e sigurt është që vendi ka nevojë për opozitë të shëndoshë dhe opozita ka shumë rrugë dhe vite përpara që të kthehet në opozitë të shëndoshë, e Basha ka kohë të kthehet në opozitë të shëndoshë”, tha Tahiri.

Edhe deputeti tjetër socialist, Bashkim Fino nuk shikon arsye të një përçarjeje të koalicionit të majtë qeverisës dhe aq më shumë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Duke folur për gazetarët dje pas mbledhjes së komisionit të Ligjeve, Fino ka theksuar se mazhoranca vijon të funksionojë me sukses.

“Pse duhet të ketë zgjedhje të parakohshme kur nuk ka… Unë jam duke thënë jo. Unë nuk shikoj asnjë krizë, asnjë ftohje midis partive të mëdha në pushtet, mazhoranca po vazhdon me sukses. Do ta shikoni këtë dhe në seancën plenare të së enjtes te votimet”, tha Fino.

Por pavarësisht kësaj, ai duket se nuk është i bindur në seriozitetin e shqetësimit që ngre kolegu i LSI-së, Spartak Braho, në letrën e tij drejtuar zyrtarëve më të lartë shtetërorë, ku denonconte një skenar destabilizimi të vendit. I pyetur nga gazetarët nëse i besonte skenarit destabilizues dhe se a cenohej siguria e vendit, Fino do të përgjigjej: “Unë them jo, por bëjani Brahos këtë pyetje”.

Ndërkohë Nikollë Lesi, i akuzuar nga mediat pranë qeverisë se është pjesë e grupit të gazetarëve që po përgatit përçarjen e të majtës, thotë se Meta dhe Rama janë pajtuar.

“Pajtimi i Ramës me Metën ka nxjerrë jashtë loje pazarin e bërë mes Ramës e Bashës në Vjenë, ndonëse Berisha nuk e dinte për këtë takim të fshehtë. Ka mundësi që dueli nga kampi i majtë të shpërngulet në krahun e djathtë mes Bashës dhe antiBashëve në PD. Siç përflitet Rama e la në baltë Bashën, sepse ka bërë llogaritë politike se më i sigurtë mbetet me armikun-mik Ilir Meta se sa me Basha-Berisha në një qeveri teknike.

Gjithsesi gjithë furtuna politike e këtyre ditëve pushoi dhe pritet të mbërrijë kryeministri të fillojë duelin në parlament me Bashën duke zhgënjyer edhe pazarxhinjtë e marrëveshje së fshehtë mes tyre, pazar që përfundoi si pazari i Milotit,” shkruan Lesi.

Lajme të ngjashme

Back to top button