Basha: Kuvendi, votë konsensuale për hetim ndërkombëtar

Kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi sot mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, ku vëmendjen e përqendroi tek çështja e CEZ-it dhe kërkesa për hetim ndërkombëtar. Basha bëri lidhjen mes marrëveshjes së kaluar në Kuvend për zgjidhjen me mirëkuptim të përplasjes mes qeverisë shqiptare dhe CEZ-it dhe skandalit të mbledhjes së borxheve prej kompanisë DIA.

“Qeveria shqiptare hoqi dorë nga të gjitha gjyqet civile, por mori përsipër fshehjen dhe ndalimin e ndjekjes penale ndaj Hajsek dhe të tjerëve, pavarësisht se ishin denoncuar nga qeveria “Berisha”. Opozita akuzon qeverinë Rama-Meta si shpërdorues të të paktën 600 mln euro pasuri të shqiptarëve. Ka njerëz që mendojnë se marrëveshja kriminale e 31 korrikut 2014 me CEZ-in dhe skandali i aferës CEZ-DIA janë dy gjëra të ndryshme, por ato janë të lidhura dhe pjesë e një skandali të vetëm. Lidhja që i bën bashkë është klauzola e ndalimit të çdo kallëzimi, hetimi në proces dhe çdo hetimi të asaj që ka ndodhur gjatë qëndrimit të CEZ-it në Shqipëri. Kjo dhe kalimi në votim në heshtje i shërbyen varrosjes së një krimi të madh financiar”, deklaroi Basha.

Sipas kreut të opozitës, janë 350 mln euro fatura të njohura dhe të papaguara nga ana e CEZ-it ndaj KESH-it dhe OST-së, që qeveria shqiptari i fali përmes marrëveshjes kompanisë çeke, shto këtu edhe 15 mln euro detyrime tatimore me vendime gjyqësore të formës së prerë.

Basha bëri thirrje që të votohet nisma e tyre në Kuvend për hetim ndërkombëtar dhe përmendi edhe nismën tjetër, atë të dorëzimit në Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar klauzolën që ndalon hetimin e veprimtarisë së kompanisë CEZ në Shqipëri.

“Presim dhe kërkojmë nga Kuvendi një votë konsensuale për projektligjin e hetimit ndërkombëtar. Presim nga Prokuroria veprime të shpejta profesionale për hetimin dhe çuarjen para drejtësisë të çdo personi përgjegjës. Ne i garantojmë mbështetjen tonë të plotë. Asgjë nuk na ndal në këtë betejë as diversion i trashë, as diversioni i hollë, as manovrat e trasha dhe as manovrat e holla të Ramës dhe Metës”, deklaroi Basha./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button