Në disa nga shkollat fillore të Komunës së Çairit, karriget i blejnë prindërit!

 

Sado që mund të tingëllojë e pabesueshme, historia e furnizimit të klasave me karrige nga ana e prindërve edhe atë në shkolla publike, kur janë në pyetje shkollat shqipe – edhe paradokse të tilla bëhen të vërteta. Ka vite që prindërit participojnë për mirëmbajtjen e shkollave, për lyerjen e klasave, pajisjen e tyre me kondicionerë apo vendosjen e grilave, mirëpo të konsideruara “punë luksi” investime të tilla janë bërë normale edhe pse të padrejta, njofton Koha.

Pak kujt mund t’i shkonte në mendje se nëpër shkollat publike, prindërit duhet të paguajnë që fëmijët e tyre të kenë banka dhe karrige. Në shkollën fillore “Ismail Qemali”, në Shkup, nxënësit e klasave të para duhet të dorëzojnë nga 500 denarë që shkolla të blejë karrige për ta. Lajmin e konfirmon drejtori Kadi Agushi. “Këtë nuk e ka vendosur as mësuesja dhe as shkolla, por vetë prindërit e asaj klase”, deklaron ai.

Shkolla fillore “Ismail Qemali”, e cila viteve të fundit karakterizohet me rritje të vazhdueshme të numrit të nxënësve, përveç problemit me mungesën e hapësirave, ballafaqohet edhe me mungesën e mjeteve elementare për punë. Shumë banka dhe karrige janë vjetruar tej mase dhe është e kuptueshme pasi është material harxhues. “Problemi është se të njëjtat nuk janë zëvendësuar me të reja, për një kohë të gjatë. Ka tre-katër vjet që e përsërisim në Ministrinë e Arsimit kërkesën për furnizimin e shkollës me karrige të reja, mirëpo asnjëherë deri tani MASH nuk iu përgjigj pozitivisht këtyre kërkesave. Varësisht viteve, kërkesat janë bërë për 100, 200 apo 300 karrige”, tregon drejtor Agushi.

Problem të njëjtë me mungesë të bankave dhe sidomos karrigeve kanë edhe disa shkolla të tjera të Çairit. Në shkollën fillore “Imri Elezi”, tre nxënës ulen në dy karrige. Ndihma që është bërë nga Komuna dhe shkollat tjera, si ajo në shkollën “Ismail Qemali” e as në “Imri Elezi” nuk ka mjaftuar të zgjidhë përfundimisht problemin. Komuna nuk është në mundësi të sigurojë komplet bankat dhe karriget e shkollave, ndërsa MASH e cila është e obliguar të sigurojë këto orendi shkollore, duket se nuk është marrë fare me kërkesat e shkollave të Çairit.

Lajme të ngjashme

Back to top button