Ka kaluar koha e tryezave, Marrëveshja e Ohrit ka nevojë për zbatim konkret!

Njohësit e çështjeve politike në vend për Portalb kanë vlerësuar se 14 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit forcat duhet të fokusohen te zbatimi dhe jo te tryezat. Botimi i një analize të mirëfilltë për efektet e MKO-së është dashur të bëhet që vitet e para të miratimit të marrëveshjes, ndërsa këtë BDI tani e bën me qëllim faktorizimin e saj në politikë, sepse thjeshtë, pas Marrëveshjes së Përzhinos është në pozicion jashtë loje, thonë ata.

“Mendoj se 14 vjet pas MO-së dhe bërjes së saj pjesë e Kushtetutës së RM-së, më duket si temë e deplasuar dhe veprim jo i nevojshëm debati rreth MO-së. Nuk është nevojë kjo temë të jetë pjesë e tryezave, por duhet fokusi dhe energjia të përqendrohet te implementimi i saj, përkatësisht zbatimi i ndryshimeve kushtetuese nga ana e institucioneve të vendit. Sepse, ka institucione që ende sillen me injorim ndaj parimeve dhe dispozitave kushtetuese dhe në këtë mënyrë duke mos e respektuar MO-në i shkaktojnë dëm vendit”, tha për Portalb profesori universitar Sefer Tahiri.

Ai shton se në vend që të shpenzohen para për tryeza për dreka dhe darka të majme duhet të shpenzohet energji që institucionet të japin përgjegjësi. “Drejtuesit e institucioneve të përgjigjen se pse nuk e implementojnë MO-në”, deklaroi Tahiri.

Nga ana tjetër njohësi i çështjeve politike, Stevo Pendarovski vlerëson se BDI po e kupton se nuk është faktor në zgjidhjen e krizës politike. Sipas tij, VMRO-DPMNE dhe LSDM janë aktorët kryesorë, BDI dhe PDSH vet zgjodhën që ta mbrojnë Gruevskin.

“BDI po mundohet të faktorizohet në këtë marrëveshje, sepse në kuadër të Marrëveshjes së Përzhinos është edhe implementimi i MO-së, marrëdhëniet ndëretnike. Po tentojnë që në tavolinë të vendosin çështje ndëretnike që të bëhen faktorë në dialog. Kur u zgjedh prokurorja special BDI-në askush nuk e pyeste, tash për gjëra tjera BDI dhe PDSH japin mendime, por nuk udhëheqin dhe nuk janë faktorë në bisedime. Kështu që shohin çka kanë në agjendë për çështjet ndëretnike dhe tentojnë të faktorizohen”, theksoi për Portalb Pendarovski.

Ai shpreh habi si mundet të udhëhiqet me sektorin për implementimin e MO-së dhe të mos ketë numra konkret për numrin e përfaqësimit. “Bën analizë të marrëveshje dhe nuk ka numra, për këtë fakt them se kjo bëhet tash vetëm për arsye të tyre partiake”, përfundon Pendarovski./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button