VV: Protestat gjithpopullore, të domosdoshme dhe të pashmangshme

Blloku opozitar Vetëvendosje, AAK e Nisma për Kosovën që nga nënshkrimet e marrëveshjeve me Serbinë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionit me Malin e Zi kanë paralajmëruar se shumë shpejt do të organizojnë protesta masive .

Zyrtari për media në Vetëvendosje, Adonis Tahiri ka thënë për Indeksonline se nënshkrimi i peticionit po vazhdon nëpër të gjitha pjesët e Kosovës.

“Nënshkrimi i peticionit po vazhdon nëpër të gjitha pjesët e Kosovës, nëpër lagje të qyteteve e nëpër fshatra. Numri i madh i qytetarëve që kanë nënshkruar dhe po nënshkruajnë peticionin është sinjal mbi Qeverinë e Kosovës që të reflektojë mbi marrëveshjet që ka nënshkruar së fundmi, dhe që sa më parë t’i tërheqë nënshkrimet nga ato”, ka thënë Tahiri për Indeksonline.

Tahiri më pas ka shtuar se do të vazhdojnë me aksione politike, dhe protesta brenda dhe jashtë Kuvendit deri sa Qeveria të reflektojë karshi marrëveshjeve.

“Do të vazhdojmë me aksione politike, tubime me qytetarë, me protesta brenda Kuvendit dhe jashtë Kuvendit, derisa Qeveria e Kosovës të dalë publikisht dhe të deklarojë se ka tërhequr nënshkrimet nga marrëveshjet e 25 gushtit dhe nga marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ato marrëveshje po e pamundësojnë funksionimin dhe zhvillimin e Kosovës si shtet. Në njërën anë po i japim mbi 8.000 hektarë territor Malit të Zi, e në anën tjetër po krijojmë një shtet etnik serb brenda shtetit të Kosovës që do të punojë për interesat e Serbisë në Kosovë, rrjedhimisht kundër Republikës së Kosovës”, theksoi Tahiri, duke shtuar më pas se kjo gjë për ta është e papranueshme.

Ai më pas ka shtuar se opozita e bashkuar është shumë e vendosur që ta pamundësojë zbatimin e këtyre marrëveshje, në rast se Qeveria e Kosovës nuk tërheqë sa më parë nënshkrimin nga këto marrëveshje, demonstratat gjithpopullore janë të domosdoshme dhe të pashmangshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button