Atavistët

 

Duke shikuar nga aspekti institucional, konstitucional, Republika e Maqedonisë është shtet i mirëfilltë demokratik, liberal, social, ku respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut, ku hierarkia shtetërore është e ndarë në tre pushtete të pavarura njëra nga tjetra, ku mediumet janë të pavarura në funksionimin e tyre profesional.

Mirëpo, realiteti është ndryshe. Kjo formë e sundimit, jo e qeverisjes, është tipike kleptokratike, sepse, që nga themelimi i institucioneve shtetërore e deri te punësimi i një administratori apo mësuesi, nuk vlen parimi i meritokracisë, profesionalizmit të gjykatësit, policit, por vlen parimi i partiokracisë.

Gjykatësit në Republikën e Maqedonisë, nuk janë zgjedhur sepse janë profesionist të vërtetë, por janë zgjedhur sepse janë pjesë dhe pjellë e bandës politike që ka uzurpuar shtetin. Në një shtet të tillë, nuk mund të presësh që gjykatësit të jenë objektiv, sepse që nga marrja e lëndës, ai është selektiv. Policët në Republikën e Maqedonisë, nuk janë zgjedhur sepse janë të aftë të rruajnë rendin publik, mos dallojnë qytetarin për nga përkatësia etnike, fetare dhe partiake, por janë zgjedhur me lista partiake ku për detyrë kanë të dënojnë qytetarin, e jo të mbrojnë atë.

Në një shtet të tillë, me sundues atavist (njerëz të degjeneruar), me institucione të kriminalizuara, edhe shoqëria bëhet peng.

Kjo gjendje, dukë shikuar nga aspekti kohor, ka filluar në fillim të vitit 2006. Me ardhjen në pushtet të sundimtarit NIkolla Gruevski, filloi kriminalizimi i institucioneve dhe shoqërisë. Ai, duke krijuar një rrjet, lla Koza Nostra, filloj me likuidimin politik të kundërshtarëve të tij, qoftë të kampit opozitar, por edhe të kampit të vet partiak. Ai shembi gjithçka që kishin bërë para tij, paraardhësit e tij. Ai, si një Padrino i vërtetë, shkatërroi gjithçka që ishte përparimtare, vetëm e vetëm që të ruaj pozicionin e vet. Ai, bashkë me liderin folklorik të Shqiptarëve, erdhën në pushtet si forca progresive, por në fakt u shndërruan në forca regresive/represive. Ai, bashkë me ekipin e vet, arriti t’i kriminalizojë gjykatat, shkollat, administratën, duke punësuar nëpër institucione njerëz të pa shkolluar, të pamoralshëm, me qëllim që të krijoj një rrjet lojal, një makineri votuese, e cila do i shërbente, pa mëdyshje, deri në fund.

Kjo formë e sundimit, pa dyshim, që u shkonte për shtati edhe partive politike shqiptare, por jo popullit shqiptar. Edhe këta, të kriminalizuara gjer në palcë, ju mësynë Gruevskit se kush e para do jetë pjesë e qeverisë(bandës).Ata, morën legjitimitetin e shqiptarëve që ti përfaqësojnë, t’i kundërshtojnë dukuritë negative që lindin nëpër këta institucione, të mbrojnë kauzën kombëtare, të luftojnë politikën anti-evropiane, të mos shiten për një post në qeveri(bandë).Por këta, çlirimtarë e demokratë, patriotë e nacionalistë, të luftës e të paqes, të majtë e të djathtë, teneqe e 24 karat, të gjithë bashkë ju vërsulën Gruevskit se cili para do jetë pjesë e bandës së tij, pa kushte, pa marrëveshje, duke i shitur interesat kombëtare për interesa personale, dhe duke harruar se sa kanë sakrifikuar shqiptarët për kauzën kombëtare.

Por, e vërteta dhe drejtësia, sa do që duken të paarritshme, çdoherë, në fund ngadhënjejnë. E vërteta e kësaj bande politike, krimet, korrupsioni, hajnia, dita-ditës po dalin në shesh.

Shqiptarët duhet të de legjitimojnë këtë politike destruktive, mafioze, duke krijuar lider të ri politik, lëvizje të reja politike, programe politike që do të jenë të kapshme për qytetarët, qeveri që do jetë shërbëtore e popullit(e jo popullin ta shndërrojnë në shërbëtor të vetin), duke mos u shitur për poste ministrore, por duke qenë parimor, objektiv, me qëllime të pastra që çështja kombëtare të ecë në drejtimin e duhur, e jo të jenë një kloun politik i Ali Ahmetit e Menduh Thacit.

Atë, që ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Klinton, në një konferencë rreth pengimit të kriminalitetit, e quan KLEPTAKRATI-QEVERISJA E HAJNAVE, duhet luftuar me të gjitha mjetet demokratike, të bashkuar, intelektualë, gazetarë, profesorë, mjekë, bujq, njerëz të biznesit, etj, me qëllim largimin e kriminelëve dhe hajnave nga pushteti, duke hapur një kapitull të rri në Republikën e brishtë të Maqedonisë dhe duke krijuar një standard të rri jetësor për këtë popull, i cili për sa e sa vite ka qenë i vjedhur në mënyrë të pandershme.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button