Bashkimi (bashkëpunimi)  i opozitës shqiptare

 

Është kjo një nismë e mbarë për të futur një dinamizëm të rri në angazhimin politik, për t’i fokusuar energjitë politike  në realizimin e aspiratave kolektive .      Është imperativ i kohës që të vendoset dialog  institucional  mes partive opozitare dhe të jepet prova e përgjegjësisë dhe e vullnetit për unitet.

Pra, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme që mund t’i kemi, le të fokusohemi te pikat që na bashkojnë, dhe këto pika të jenë arsyeja që përfundimisht do të na ulë në një tryezë të përbashkët. Vetëm në këtë mënyrë do të mund ta bëjmë atë që është thelb i politikës- Ta konsolidojmë kapacitetin, për ta imponuar me dinjitet vullnetin tonë politik ndaj të tjerëve.

Me të drejtë krerët e partive opozitare kanë vlerësuar se të gjithë i kanë dyert e hapura të bashkëpunimit, por duke nënvizuar se dyert do të jenë të mbyllura për ata që kanë rënë ndesh me ligjin dhe për emrat e lakuar në aferat korruptive.

Nuk ka dyshim se shqiptarët për më shumë se një dekadë, mbetën të zhgënjyer nga politikanët që menaxhuan me pushtetin në mënyrë kriminale. Ky keqpërdorim, si pasojë solli (në mes tjerash) mosinteresimin e qytetarit për aktivizim dhe dëshpërimin e tij.

Opozita e bashkuar duhet të vijë mes elektoratit me mesazhin pozitiv se politika duhet ta bëjë të mundshme atë që është e domosdoshme për mirëqenien individuale  e kolektive. Ajo të angazhohet që politikës t’i krijojë imazhin e ndershmërisë, të efikasitetit, të demokracisë reale dhe të dialogut.

Opozita e bashkuar duhet të vijë mes elektoratit me një mesazh të dëshiruar  si vijon-Në këto zgjedhje jemi bashkë, sepse kemi një pikë madhore dhe vitale të përbashkët, dhe ajo është Domosdoshmëria për ta konsoliduar demarshin me qëllim që ta avancojmë çështjen tonë, që të krijojmë një zë të fortë politik, në mbrojtje të kërkesave shqiptare, por edhe qytetare në përgjithësi.

Njëherësh ky do të jetë edhe një mesazh pozitiv për klasën politike maqedonase, që përfundimisht  të marrin në konsideratë aspiratat  tona moralisht legjitime, sensibilizimin politik të opozitës, pikëpamjet  tona politike, objektivat  tona. E gjitha kjo, me qëllim që nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe kreativ, të gjenden bashkërisht – kompromiset e ekuilibruara për reformim të sistemit juridiko-politik ,barazia për të gjithë, sundimi i së drejtës, zhvillimi ekonomik i vendit si dhe mënyra e bashkëjetesës në harmoni.

Dhe meqë jemi te bashkëjetesa, dua të them se ajo nuk nënkupton detyrimin e dashurisë së ndërsjellë, por detyrimin e tolerancës dhe respektit mes veti.

Opozita e bashkuar, do të duhej  të jetë e hapur për në koalicion të mundshëm qeveritarë ,ekskluzivisht me ato formacione politike maqedonase që do të jenë të hapura ndaj këtyre mesazheve.

Dhe në fund, kam bindjen se vetëm kështu, këtë vullnet,   qytetari do ta bekojë me votën e tij, me shumicë dërmuese.

Lajme të ngjashme

Back to top button