Reagojnë partitë shqiptare për propozimin e Gruevskit +20 deputetë nga diaspora

“Dëshirojmë që ta mbajmë mundësinë që diaspora të ketë përfaqësues të tyre në Parlamentin e Maqedonisë. Madje mendoj se numri i tyre është i vogël, dhe për këtë arsye kemi propozuar deri tek grupet punuese, nëse edhe partitë tjera pranojnë ta ndryshojmë modelin që në vend të tre njësive në të cilat zgjidhej nga një deputetë nga diaspora, të ketë një njësi zgjedhore dhe në të të zgjidhen 20 deputetë, dhe në bazë të votave që do t’i fitojnë, gjegjësisht si do të votoj diaspora të shpërndahen në deputetë të cilët do të jenë në atë listë speciale”, kështu kishte propozuar kryeministri Nikolla Gruevski gjatë një vizitë në rajonin e Pellagonisë. Portalb ka konsultuar subjektet politike shqiptare në lidhje me këtë propozim të Gruevskit. Për të njëjtën temë përfaqësuesit e BDI-së dhe PDSH-së kanë qenë të pakapshëm për redaksinë tonë.

Sela: Thaçi dhe Ahmeti i japin komoditet Gruevskit

Ziadin Sela për Portalb thotë se Nikolla Gruevski ka komoditetin të jap propozime të tilla, sipas të gjitha gjasave e ka siguruar dhe i ka në duar këto liderët politik shqiptar, kushtimisht thënë, të cilët i lejojnë komoditetin të luaj në këto bisedime.

“Derisa ai ka kontrollin mbi gjithë pushtetet dhe kontrollin mbi të a.q. politikanë si Thaçi dhe Ahmeti do të japë deklarata të tilla. Në momentin që do t’i humbet këto nuk do të guxojë aspak të jap propozime të këtilla. LR- PDSH ka dhënë propozimin e vet në lidhje me deputetin e diasporës”, tha për Portalb Sela.

“Kujtoj në kohën kur isha deputet, më replikoi deputeti diasporës dhe i pata thënë të mos marr të drejtën të më replikoj sepse ai ka vota aq sa kam unë kushërinj në Amerikë. Mendojmë se duhet vetëm dy deputet nga diaspora, që bazohet edhe në platformën tonë që Maqedonia të shpallet shtet binacional. Dy lista të veçanta një shqiptar të zgjidhet dhe një deputet maqedonas. Nga tre njësi sa janë për diasporën të shndërrohen në një njësi e cila do të zgjedh vetëm dy deputet. Diaspora shqiptare është një element i rëndësishëm për mbajtjen e balancit politik këtu në Maqedoni dhe roli i diasporës në Luftën e Kosovës dhe Maqedonisë ishte shumë i rëndësishëm, prandaj politika sllave mundohet të përçajë diasporën shqiptare”, theksoi Sela.

Kasami: Propozimet e Gruevskit nuk duhet të merren seriozisht

Kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, në prononcimin e tij për redaksinë e lajmeve Portalb vlerëson se propozimet e fundit të Gruevskit në lidhje me numrin e deputetëve nuk duhet të merren si serioze.

“Propozimet e Gruevskit nuk duhet të merren seriozisht duke pasur parasysh pozitën në të cilën është. Diaspora duhet të ketë pozitën e saj në vendimmarrje këtu në Maqedoni, veçanërisht në përzgjedhjen e përfaqësuesve në parlament konform numrave që janë. Duhet të krijohet mekanizëm i përshtatshëm me ç’rast do votë e diasporës të jetë e përfaqësuar në parlament. Nuk vlerësojmë se vota diasporës duhet të vlejë më pak apo më shumë se vota e qytetarëve këtu në Maqedoni. Duhet mekanizëm për barazvlerësimin e votës së qytetarëve të Maqedonisë me atë të diasporës”, theksoi Kasami.

Memedi: Deklarata më e prapambetur dhe diskriminuese e Gruevskit

Deklarata e kryeministrit të vendit për plus 20 deputet ka të vetmin qëllim që asnjë parti politike, apo edhe etnikum, mos të ketë mundësi të kushtëzoj fituesin. Kjo është një nga deklaratat më të prapambetura dhe diskriminuese ndaj gjithë popujve që jetojnë në vend, sidomos atij shqiptarë, deklaroi për Portalb lideri i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Vesel Memedi.

Ai thekson se kjo deklaratë e kryeministrit të vendit kërkon një përgjigje të merituar nga të gjitha subjektet politike në vend sepse, të deklarohesh se qeveritë e ardhshme duhet formuar vetëm nga një parti politike çojnë drejt një diktature të paparë dhe të prapambetur të shekujve të mesjetës.

Aliti: Gruevski frikohet të mos i humb 3 deputetët e diasporës

“Është marrëzi propozimi i Gruevskit. Një ndër themelet e demokracisë është edhe pesha e njejtë e votës. 20 deputetë nga diaspora është marrëzi. Është e papranueshme. Edhe pse vet Gruevski e dinë se kjo nuk mund të bëhet, por ai e ngre këtë si çështje duke kërkuar diçka ekstreme me qëllim që të mos i humb ata tre që i ka”, potencoi Faton Aliti, zëdhënës i Partisë për Prosporitet Demokratik./PORTALB
Lexo: Zaev: I papranueshëm propozimi i Gruevskit për votimin e diasporës

Lajme të ngjashme

Back to top button