Lila rrezikon përjashtimin, pritet vendimi i presidentit

Festimi i golit të shënuar ndaj Olimpiakos duke formuar shqiponjën me duar mund t’i kushtojë shtrenjtë Andi Lilës. Futbollisti i Pas Janinës është vënë në qendër të kritikave nga mediat greke që pretendojnë se gjesti me shqiponjën simbolizon Shqipërinë e Madhe, ndaj ai nuk duhet të luajë në kampionatin grek. Aludohet deri aty sa shkruhet që përjashtimi i futbollistit shqiptar është cështje kohe.

Në fakt edhe pse për mediat mënyra e festimit të golit nga ana e Lilës ka qenë çështje e ditës, nuk ka patur asnjë zhvillim apo masë ndëshkimore nga drejtuesit e Pas Janinës. Mediat greke shkruajnë se vendimi do të merret vetëm nga presidenti i klubit, Giorgos Christovasilis, i cili për momentin ndodhet jashtë Greqisë.

Nëse Lila do të ishte një lojtar i zakonshëm, vendimi do të ishte marrë pa hezitim, por përjashtimi i një futbollisti që luan në të dy krahët e mbrojtjes në mesfushë, madje edhe si shkatërrues, pra që është një xhol për trajnerin Giannis Petrakis, do të krijonte një boshllëk të madh në skuadër.

E ardhmja e Lilës gjithsesi mbetet në udhëkryq. Vendimi për përjashtimin e tij mund të merret edhe që në fillim javës, sapo presidenti Giorgos Christovasilis të kthehet në Greqi, por nuk përjashtohet mundësia që me kalimin e ditëve pasi debati të jetë minimizuar, gjithçka të vijojë si më parë.

Lajme të ngjashme

Back to top button