Reformat e fosilizuara të BDI-së

Bashkimi Demokratik për Integrim që nga dy vjetori i saj prej kur ka filluar të ekzistojë në vazhdimësi ka përmendur reforma, por struktura e BDI-së tashmë është fosilizuar. Përçarjet e fundit më shumë u ngjajnë përpjekjeve për t’u ripozicionuar para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, thonë njohësit e çështjeve politike për Portalb.

“S’do mend se kjo është edhe një tendencë, mund të them e pështirë, për ta zhvendosur përqendrimin e vëmendjes së opinionit nga problemet reale që ka ky subjekt politik dhe ç’është me e keqja, që ua ka shkaktuar ndër vite shqiptarëve të Maqedonisë. Nëse bëjmë një retrospektivë të ecurisë politike të BDI-së nga viti 2004 e këndej, pra dy vite pas themelimit, do të shohim se në vazhdimësi pas çdo krizë që përjeton, premton reforma, e në fakt, figurat e njëjta mbeten në skenë dhe mund të themi lirish se ato tashmë janë fosilizuar.  Mendoj se nuk ka nevojë të përmendin emra sepse opinioni i di dhe vetëm do të bezdisem nëse e themi atë që e kanë të njohur. Por, kësaj radhe ka diçka edhe më keq, ka një tentim për t’i njollosur figurat që nuk janë në ujdi me liderin dhe për t’i ‘djallëzuar’ shokët e liderit si të paaftë dhe kriminelë ndërsa vet atë, në këtë rast numrin një të partisë, si të pastër dhe të pagabueshëm!? Kjo mënyrë e funksionimit është tallje me mendjet e shëndosha të njerëzve. Por, siç edhe e thash ditë më parë, duhet ta kemi parasysh se njeriu është refleksion i shoqërisë që ka. Aq më tepër, kur flasim për këtë subjekt, tendenca e drejtuesve të saj ndërlidhet me një besatim, që thonë se e kanë arritur para shumë vitesh”, tha për Portalb Ismail Sinani, analist.

Sinani pyet se për çfarë janë besatuar dhe si po ndodh që të gjithë të jenë të këqij dhe vetëm i pari, kreu i tyre të jetë i mirë apo i miri?!

“Me një fjalë, reforma, duhet t’i përfshijë, nga i pari deri te i fundit, kuptohet me disa përjashtime të vogla”, theksoi Sinani.

Përçarjet brenda partive, sidomos kur bëhet fjalë për parti të cilat aktualisht janë në pushtet, gjithsesi se tërheqin vëmendjen e opinionit dhe është normale që pyetja e parë që parashtrohet në këto raste është ajo lidhur me manipulimin ose defokusimin nga problemet reale, kështu shprehet për Portalb analisti Ibrahim Mehmeti.

“Kjo gjithsesi vlen edhe për rastin konkret, lidhur me paralajmërimet për formimin e një partie të re nga ish funksionarë të BDI-së, mirëpo në të njëjtën kohë vlen të thuhet se problemi me demokracinë brenda partiake është problem real brenda thuajse të gjitha partive në Maqedoni. BDI-ja gjithsesi se nuk paraqet përjashtim nga kjo. Mirëpo, këto përçarje të cilat ndodhin këtyre ditëve nuk ngjajnë se bëhet fjalë për reforma brenda partisë, por më shumë u ngjajnë përpjekjeve për t’u ripozicionuar para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Kjo tendencë është rezultat i dëshpërimit të një pjese të përkrahësve të kësaj partie nga mosmbushja e premtimeve dhe shkëputja nga partia në fakt tenton të dërgojë mesazhin se „disidentet“ nuk kanë përgjegjësi për dështimet. Kuptohet se në këso situata nuk është korrekte të gjeneralizohet”, deklaroi Memeti.

Sipas tij, është me rëndësi që mediet t’i zbardhin rrethanat të cilat shkaktojnë huti tek qytetarët me qellim që cikli i ardhshëm zgjedhore të mos përfundojë me dëshpërime të reja./Portalb

LEXO: Procesi i vështirë i reformave në BDI

Lajme të ngjashme

Back to top button