Shumë “zero” në paraqitjet e deputetëve të diasporës

Statistika në publikimin e “Deputeti im” që e boton Kuvendi ka evidentuar aktivitet të dobët të deputetëve nga diaspora, me çka e hap edhe drejtpërdrejt çështjen e efektit të zgjedhjes së tyre, njofton DW në gjuhën maqedone, transmeton Portalb.

“Nuk e di”, … “Për momentin nuk më kujtohet”. Këto janë përgjigjet më të shpeshta që do t’i merrni nëse bëni anketë me qytetarë, në pyetjen se si janë emrat e deputetëve  nga diaspora në Kuvendin e Maqedonisë. Edhe pse thonë se rregullisht i përcjellin seancat kuvendare, nga 300 të anketuar, vetëm njëri ka ditur 2 emra, por duke ua përzier mbiemrat. Shtatë nga të anketuarit dinin vetëm një emër, por jo si rezultat i kontributit të tij në Kuvend, por për faktin se deputeti kohë më parë ishte përmendur si shkaktar i një incidenti me një punëtore në institucionet shtetëror, rreth kujdestarisë për fëmijët e tij.

Rezultati është i ngjashëm edhe nëse e parashtroni pyetjen: “Kush janë Pavle Sazdov, Risto Mançev dhe Vasko Naumoski? Përgjigjet janë mjaftë interesante. Dy nga të anketuarit kanë dhënë përgjigje të saktë, 20 kanë thënë se nuk e dinë ose nuk iu kujtohet, njëri ka thënë se janë “këngëtarë të këngëve burimore maqedone”, ndërkaq dy persona kanë pyetur se vallë mos janë “bashkëpunëtorët e ri në ekipin e prokurores Katica Janeva”?

Ajo që befason është edhe fakti se emrat e deputetëve të diasporës nuk i dinë as gazetarët. Duke mos përfshirë këtu raportuesit e Kuvendit, të cilët e dinë mirë përmbajtjen e deputetëve. Numri më i madh i të anketuarve e dinin vetëm një emër, 10% nga rasti i dinin së paku dy emra.

 

Performancë e dobët

tash e dy muaj njëra nga nën temat në grupet punuese që po e aplikojnë Marrëveshjen e 2 qershorit është edhe diaspora. Nikolla Gruevski këto ditë ka propozuar nga diaspora të mos zgjedhen 3 deputetë, por 20.

“Kërkon 20, që të ruajë 3”, “Të dëshmoheshin këta të re, e pastaj të zgjedhnin edhe 30, mirëpo këta nuk bënë asgjë”, “Për zgjedhjen e tre deputetëve paguajmë sa 30”, kanë qenë reagimet e para të opinionit në programet e hapura televizive.

Nëse lihen anash kalkulimet se rreth 1,1 milion euro kushton organizimi i zgjedhjeve në diaspor, parashtrohet pyetja cili është efekti politik nga zgjedhja e deputetëve të diasporës? Duke pasur parasysh faktin e polarizimit të shoqërisë në Maqedoni çdo përgjigje mundet të reflektojë subjektivitet të skajshëm, përgjigje më objektive mundet të gjende në publikimin “Deputeti im”, të cilën rregullisht e boton Kuvendi i Republikës së Maqedonisë..

Në atë ka të dhëna për prezencën dhe mungesën e deputetëve ne seancat plenare, për performancën në seancat plenare, për numrin e propozimeve për ligje dhe amandamente, për numrin e pyetjeve të deputetëve, replikat, kundër replikat, si dhe numrin e votimeve të regjistruara.

Sipas asaj statistike,  në periudhë prej muajit janar deri më qershor të vitit 2015, deputeti nga Europa, Risto Mançev, ka shënuar katër “zero”: nuk ka pasur asnjë performancë, asnjë seancë plenare, në asnjë grup punues, nuk ka parashtruar asnjë pyetje dhe nuk ka dorëzuar asnjë propozim ligj apo amandament. E njëjtë është gjendja edhe te deputeti Pavle Sazdov nga Amerika  dhe Vasko Naumoski nga Australia, i pari ka pasur 1 replikë, ndërsa i dyti një pyetje. Pak më aktiv kanë qenë vitin e kaluar, 2014, nga muaji maj deri më dhjetor. Mançev ka pasur një paraqitje në seancë parlamentare, Sazdov 4 paraqitje dhe tre pyetje, ndërkaq Naumoski tre paraqitje. Nëse nga kjo statistikë nxjerrim pasqyrën reale të angazhimit të deputetëve nga diaspora, përkundër harxhimeve për zgjedhjen e tyre, nuk është vështirë të llogaritet se sa efekt kanë.

Zgjidhje më efikase dhe më të lira

Në raport me votimin e diasporës, asociacioni qytetar “Most”, ka kohë që shpreh dy aspekte kontestuese. E para, pabarazia e votës në Maqedoni dhe jashtë saj dhe aspekti i dytë çmimi. 1,1 milion euro, aq sa kanë kushtuar zgjedhjet në diasporë paraqesin 25% nga buxheti i Maqedonisë për zgjedhjet.

“Për shkak këtyre arsyeve është më mirë që të hiqen zgjedhjet në diasporë në ciklin e ardhshëm zgjedhor dhe pastaj të hapet debat i gjerë për aspektet e saj- sistemi zgjedhor, numri o njësive, barazia e votuesve me qëllim që të gjenden zgjidhje më demokratike, më efikase dhe më të lira”, ka propozuar Darko Aleksov, drejto ekzekutiv i “Most”.

Sipas politikologut, Goran Jovanovski, propozimi i tillë është më racional dhe më i pranueshëm.

“Nëse vlera e votës në Maqedoni dhe diasporë nuk është e njejtë ajo nuk do të thotë asgjë, përveç se delegjitimim i procesit zgjedhor. Nën arsyetimin se “përforcojmë kontaktet me diasporën” dhe fraza të tjera të tipit “është pjesë e pandashme e Maqedonisë” vetëm kërkohet  mënyrë më e lehtë që të merren plus vende të deputetëve”, thotë për DW Jovanovski, transmeton Portalb.

Sipas tij, lidhjet me diasporën duhet të mbahen në forma tjera institucionale dhe forma kulturore dhe jo nëpërmes kuazi zgjedhjeve./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button