Shkup, u fal namazi i Bajramit në xhaminë Bedr

Nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, në xhaminë Bedr në Shkup u mbajt manifestimi qendror për faljen e Kurban Bajramit. Gjatë ceremonisë u këndua Kur’an dhe ilahije, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e faljes ishin të pranishëm një numër i madh i besimtarëve, mes të cilëve kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, i cili njëherësh drejtoi faljen e namazit,  ambasadori turk në Maqedoni, Ömür Şölendil, atasheu i Çështjeve Fetare të Republikës së Turqisë në Maqedoni, Seyfettin Ersoy si dhe ambasadori i Iranit në Maqedoni, Saied Sadegh Mohammad.

Hytben e Bajramit, në emër të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, e lexoi një nxënës i Medresesë “Isa Beu” në Shkup, ndërsa në të qëndronte porosia se sublimimi i vlerave të Bajramit manifestohet përmes therjes së kurbanit dhe shpërndarjes së mishit për nevojtarët. “Kur’ani i shenjtë na mëson se tek Allahu nuk arrijnë as mishi dhe as gjaku i kurbanit por prerja e kurbanit bëhet për të adhuruar krijuesin dhe të jemi të mëshirshëm, bujarë dhe me shpirt human” ishin mesazhet e kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi të lexuara nga një nxënës i medresesë.

Edhe në xhamitë tjera të Maqedonisë në prani të madhe të besimtarëve musliman u fal Kurban Bajrami, ndërsa gjatë ditës ata të cilët kanë blerë kurban, do të bëjnë therjen e tij.

Lajme të ngjashme

Back to top button