Dehari: Jemi duke administruar mirë bashkëpunimin mes këshilltarëve komunal në Kërçovë

Këshilli i Komunës së Kërçovës vlerësohet të jetë në një gjendje më të mirë sa i përketë bashkëpunimit mes këshilltarëve komunal, përgjithësisht me një nivel më të lartë bashkëpunimi ndërmjet grupeve të këshilltarëve, seç ishte në muajt e parë të formimit të tij.

Disa fërkime marrëdhëniesh mes grupit të këshilltarëve shqiptarë dhe atyre maqedonas ishin më prezentë gjatë seancave të para të mbledhjeve të këtij këshilli dhe mes tyre kishte edhe dy raste kur grupi i këshilltarëve maqedonas nga koalicioni VMRO-DPMNE dhe LSDM lëshuan mbledhjen në shenjë revolte.

Tani situata duket të jetë me e relaksuar dhe grupet politike të ndara na baza etnike si duket kanë gjetur një gjuhë të përbashkët për të diskutuar çështjet për problematikat e përbashkëta që shqetësojnë qytetarët e Kërçovës.

Kryetari i këshillit të Komunës së Kërçovës, Qamil Aliu, për Portalb tha: “Mendoj që krahasuar me fillimin tani të gjithë jemi më të relaksuar. Kemi bashkëpunim me grupin e këshilltarëve maqedonas sepse edhe ato e kuptuan që për tu bojkotuar seancat duhet të ketë një qëllim të caktuar kurse qëllimi jonë i përbashkët është të punojmë në zgjidhjen e problemeve për qytetarët e Kërçovës. Ajo që ka kontribuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes nesh mendoj se është strategjia e re e këshillit, ku ne fillimisht koordinohemi dhe bashkëpunojmë për pikat që do të shqyrtojmë dhe do të miratojmë në mbledhjet e këshillit. Ne zgjedhim opsionet që janë në të mirën e të gjithë qytetarëve dhe në këtë rast, edhe ato që nuk janë pro, janë të përmbajtur sepse nuk kanë arsye për të qenë kundër.”

Ndërkaq këshilltarët, Vanço Sërbakoski dhe Jana Konstandinovksa, i janë shmangur vazhdimisht kësaj pyetje duke thënë që ju duhet kohë për tu konsultuar edhe me kolegët tjerë të grupit.

Në lidhje më këtë kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, u shpreh se ai është kryetarë i të gjithë këshilltarëve pa dallime politike dhe nacionale duke u përpjekur vazhdimisht që të ndikojë në frymën e bashkëjetesës dhe mirëqenies njerëzore. 

“Mendoj që ndërmjet këshilltarëve tani më ka një bashkëpunim të mirë dhe vazhdimisht punojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Parimi i funksionimit të komunës tonë është profesionalizmi në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallime. Deri tani nuk kam vërejtur asnjë mosmarrëveshje ndërmjet administratorëve komunal. Ne jemi këtu për të dëgjuar zërin e qytetarëve, për të larguar qëllimet me prapavijë politike që na sjellin përçarje dhe të punojmë në bazë të rregullores dhe në bazë të nevojave të qytetarëve.” – shtoi Dehari.

Këshilli i Komunës së Kërçovës deri tani ka realizuar tetë mbledhje dhe sipas kryetarit, Qamil Aliut, ai është njëri ndër këshillat më të suksesshëm në Maqedoni që pas zgjedhjeve lokale.

Lajme të ngjashme

Back to top button