Poposki-Crnadak: Kriza e refugjatëve, mbyllja e kufijve nuk është zgjidhje

Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje e Hercegovinës, Igor Crnadak, gjatë ditës së sotme qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë me ftesë të homologut maqedonas, Nikola Poposki, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë u realizua një seancë plenare, ku shefat e diplomacive të të dy vendeve shkëmbyen mendime për nivelin e deritanishëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si dhe propozuan iniciativa për përmirësimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Ministrat e Punëve të Jashtme poashtu shkëmbyen mendime për bashkëpunim në kudër të iniciativës rajonale për fluksin e refugjatëve që nëpërmjet vendeve të Ballkanit tentojnë të kalojnë në Evropë.

Shefi i diplomacisë maqedonase, Nikola Poposki, theksoi se është një kohë e mirë për bisedime mes dy vendeve, veçanërisht në aspektin e konfrontimit rajonal dhe në pritjet e inspirimit në strukturat euro-atlantike të të dy vendeve.

“Ajo që diskutuam ishte mundësia të fokusohemi në krijimin e një rajoni të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm, që zhvillimi ekonomik të ketë mundësi ta ndjek këtë dinamikë. Prandaj, natyrisht bisedimet u fokusuan në integrimet evropiane, duke shmangur tensionet, idetë e krijuara për ndryshimin e kufijve, ringjalljen e antagonizmave të vjetra dhe duke u fokusuar në ndërtimin e bashkëpunimit në rajon”, deklaroi Poposki.

Poposki përmendi edhe krizën e refugjatëve, duke theksuar se kjo sfidë e krizës së refugjatëve, në Bosnje e Hercegovinë nuk është aq e rëndë siç është në Maqedoni.

“Definitivisht u dakorduam se kjo sfidë me krizën e refugjatëve mund të ketë zgjidhje vetëm në nivel evropian dhe me marrëveshje të ndërsjelltë të të gjitha vendeve. Rreth bashkëpunimit praktik diskutuam të intensifikojmë komunikimin dhe deri në fund të këtij viti të kemi marrëveshje për vendosje”, tha shefi i diplomacisë maqedonase, Nikola Poposki.

Nga ana tjetër, ministri i Bosnje e Hercegovinës, theksoi se vizita e tij në Maqedoni është një fillim i mbarë për përmirësimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Për Bosnjën dhe Maqedoninë është i rëndësishëm participimi në procesin e Berlinit, sepse deri më tani ka pasur qasje serioze ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimorë, ndërsa pritjet tona janë të mëdha, sidomos për projektet në infrastrukturë dhe energjetikë dhe në të njëjtën kohë për dy vendet tona është poashtu e rëndësishme të marrim pjesë në të gjitha nismat rajonale”, deklaroi ministri Crnadak.

Crnadak në lidhje me çështjen e refugjatëve tha se deri më tani nuk kanë të dhëna për ndonjë fluks të refugjatëve të cilët mund të vijnë në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa shtoi se mbyllja e kufijve është veprimi i fundit që mund të ndërmerret.

“Institucionet tona kanë informuar se ka dy rrugë të cilat mund të shfrytëzohen nga refugjatët për hyrje. Njëra nga Serbia dhe tjetra nga Shqipëria. Mbyllja e kufijve nuk është zgjidhje e problemit por vetëm komplikim i të njëjtit. Mbyllja e kufijve është masa e fundit dhe mund të ndodhë vetëm nëse në territorin tonë hyjnë qindra mijë refugjatë, gjë e cila vështirë mund të ndodhë”, tha Crnadak.

Lajme të ngjashme

Back to top button