Lëvizja Besa: Bizneset shqiptare goditen atëherë kur kritikojnë BDI-në

Pas lajmit të plasuar nga shumë media vendase se mbrëmjen e shkuar është arrestuar pronari i spitalit “Shëndeti”, Adil Mustafa, që më pas u konfirmua për Portalb nga departamenti për marrëdhënie me publikun i Gjykatës Themelore në Tetovë, ka reaguar Lëvizja Besa.

Lëvizja Besa shprehet e shqetësuar për faktin se siç thonë ata, po goditen bizneset shqiptare, pa pasur ndonjë arsyetim dhe argumentim nga organet përgjegjëse shtetërore.

“Habit fakti se arrestimi i Adil Mustafës, erdhi menjëherë pasi ai kishte realizuar një konferencë për gazetarët prej nga drejtoi akuza për krim dhe korrupsion ndaj një banke dhe ndaj zëvendëskryeministrit të BDI-së, Musa Xhaferi, me pretendimet se i kishin bërë obstruksione për spitalin”, thonë në reagimin e tyre Lëvizja Besa.

Ata kërkojnë nga organet kompetente që të jenë përgjegjës dhe të jenë transparentë për rastin në fjalë.

“Kërkojmë nga organet vendase të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të partive në pushtet, përkatësisht të klikave të tyre të shpërfaqura në dyshen Musa Xhaferi-Sasho Mijallkov. Gjithashtu kërkojmë transparencë nga organet vendore për këtë rast dhe të sqarohen se pse ky arrestim erdhi atëherë kur u kritikua partia shqiptare në pushtet BDI”, shkruhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

Lajme të ngjashme

Back to top button