Mungesa e konfirmimit shton klikime po humbet besueshmërinë

[Recension: Zënka në BDI pas emërimit të Nezirit për shef shtabi]

Lajmi që po recensojmë nuk përmban asnjë element kredibil mbi të cilin shkruhet një informacion ose lajm i mirëfilltë gazetaresk. Siç mund të shihet nga teksti i publikuar, autori është munduar të paraqesë një gjendje, atmosferë brenda kuadrit partiak të BDI-së, por këtë pohim ose konstatim nuk e mbështet në deklaratë, fotografi apo video, ashtu siç do të duhej të ishte i bazuar një tekst profesionist.

Zënka në BDI pas emërimit të Nezirit për shef shtabi   Iliria News AgencyLinku deri te artikulli origjinal: Zënka në BDI pas emërimit të Nezirit për shef shtabi

Data dhe koha e publikimit: 09/09/2015

Data e recensionit: 16/09/2015

Recensues: Benjamin Arifi

Bazamenti i vetëm që autorit i është dukur si burim i mjaftueshëm është informata e transmetuar nga portali “Tetova Sot” i cili gjithashtu nuk ka konsultuar asnjë burim dhe nuk ka paraqitur asnjë argument.

Fjala popullore se “një e pavërtetë nëse përsëritet shumë herë shndërrohet në të vërtetë”, nuk duhet të gjejë përdorimin në botën e mediave, për shkak të misionit të shenjtë të tyre për informimin e drejtë të opinionit. Transmetimi i informatave të pa konfirmuara  nga mediat e tjera krijon një rreth vicioz, dhe mjegulli informative që ulë vlerën e lajmit, informacionit të mirëfilltë.

Gazetari profesionist gjithmonë duhet të punojë duke u bazuar në parimet e Kodit të Gazetarëve ku qartë theksohet se:

“Gazetari duhet të botojë informata të vërteta e të konfirmuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale ose të falsifikojë dokumente. Në qoftë se informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet cekur….Gazetarët duhet të bëjnë dallimin mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komenteve”

Një informacion i kësaj natyre për përçarje në partinë shqiptare në pushtet sigurisht që zgjon shumë interes tek publiku dhe kjo shton edhe klikimet, por nuk duhet anashkaluar parimet profesionale. Pa diskutim se çdo njoftim që do të sugjeronte se ka ndodhur diçka e tillë, gazetarët duhet ta ndjekin. Një diçka e tillë s’ka dyshim se është në interes publik. Por njoftimet e pa verifikuara nuk mjaftojnë, në rastin konkret e pakta që duhej bërë, është se duhej kërkuar qëndrim zyrtar nga BDI-ja, dhe duhej të kontaktoheshin personat të cilët ceken me emrin në tekstin në fjalë.

Lajme të ngjashme

Back to top button