VAKSINA ANTI-KRIM

Në Maqedoninë e çudirave, në Shkup, Qyteti i busteve, ku nëse shkon në sheshin e tij, dhe qëndron për 5 minuta, ka gjasa që turistët e huaj të të fotografojnë duke menduar se je “një bust”, më në fund u arrit zgjidhja për kryeprokurorin special.

Maqedonia gjatë gjithë periudhës pas pavarësimit të saj u tregua impotente në luftimin e krimit dhe të korrupsionit të politikanëve, në stilin: Shteti i ndjek hajnat sepse nuk lejon konkurrencë!

Andaj, ishte momenti i fundit, që SHBA dhe BE të ndërmarrin masa efektive, për të drejtuar kahjen e këtij vendi të brishtë, drejt sigurimit të mekanizmave ligjorë me monitorim ndërkombëtar për luftimin efikas dhe ndjekjen penale të krimit dhe të korrupsionit. Pra, falë SHBA dhe BE, në Maqedoni tashmë ekziston vaksina anti-krim dhe anti-korrupsion si element i domosdoshëm i shtetit ligjor.

Poashtu, edhe kryeprokurori i dështuar aktual shtetëror tashmë historik i cili po merr formën e “një busti”, po zëvendësohet me kryeprokurorin special, sepse kur dështon një mekanizëm shtetëror dhe kushtetues i ndjekjes penale, atëherë aty janë SHBA dhe BE, që me ligj “ta fusin” në shtet një kryeprokuror tjetër të njëjtë dhe alternativ, bile ende më të fortë, se sa institucioni ekzistues i ndjekjes penale.

SHBA dhe BE krijuan një “Çak Noris” të ndjekjes penale në Maqedoni, dhe kjo punë e tyre duhet përshëndetur dhe mbështetur nga qytetarët e vendit.

Kështu, ndodhi në vitin 2000 kur elita politike maqedonase mbante qëndrimin zyrtar shtetëror se shqiptarët nuk i lejon kushtetuta që të arsimohen shqip në arsimin e lartë, andaj SHBA dhe BE krijuan UEJL-in si një model alternativ universitar evro-amerikan, dhe kjo punë e tyre, më pas ndihmoi në zyrtarizimin me ligj edhe të UT-së si dhe themelimin e universiteteve të tjera me mësim në shqip.

Kështu, ndodhi në vitin 2001, kur elitat politike hezitonin me zgjidhjen e krizës, andaj, SHBA dhe BE, ishin aty që t`i lehtësojnë palët dhe t`u bëjnë “refresh” atyre.

Kështu, ndodhi edhe gjatë këtyre ditëve, kur SHBA dhe BE me ligj e inkorporuan në shtet, organin e veçantë të ndjekjes penale, pra kryeprokurorin special i cili madje si organ i plotë autonom, fare nuk i nënshtrohet parimit të hierarkisë dhe subordinimit në raport me kryeprokurorin shtetëror “të bustizuar”. Pra, SHBA dhe BE me ligj prodhuan një organ tjetër dhe paralel shtetëror (një shtet në shtet), një “super-lejdi” të ndjekjes dhe të hetimeve penale, nën monitorimin (kontrollin) ndërkombëtar nga e cila po pritet shumë.

Disa profesorë dhe prokurorë maqedonas që vetë kanë qenë të interesuar për këtë post, po shprehen skeptik se kryeprokurori special do të realizojë misionin e tij dhe se do të harxhojë mjetet financiare buxhetore duke ndjekur penalisht vetëm “capin”, e jo edhe “kasapin”. Mirëpo, SHBA-së dhe BE-së për këtë post në Maqedoni nuk i duhej dikush që do të dijë shumë (sepse me siguri se SHBA dhe BE dinë më shumë), por i duhej dikush që do të veprojë dhe realizojë shumë nën monitorimin (kontrollin) e tyre.

Ndërmjetësuesi belg i bisedimeve midis katër partive politike, Van-Haut u tregua i suksesshëm në arritjen e të gjitha zgjidhjeve rreth kryeprokurorit special. Madje, në një moment delikat, kur “kaubojët” e VMRO-së përmes “naçallnikut” filluan të mos respektojnë marrëveshjet paraprake duke u thirrë në “patriotizmin kushtetues” të vendit, Van Haut, nga ana tjetër, u thirr në vlerat evropiane të fjalës së dhënë dhe të llogaridhënies, duke thënë se, në Evropë kemi sistem vlerash, andaj çfarëdo dyshimi për keqpërdorim të pushtetit dhe të parave duhet të hetohet, sepse detyra kryesore e kryeprokurorit special do të jetë rikthimi i llogaridhënies duke siguruar se keqpërdorimet nuk do të ndodhin sërish, për cilindo që është i përzier në çfarëdo.

Pra, vaksina-antikrim dhe anti-korrupsion sipas Van-Haut do t`i injektohet cilitdo që është i përzier në çfarëdo, pra çdo politikani e funksionari që është i përzier në çfarëdo pa marrë parasysh asgjë.

Pritet që vaksina anti-krim dhe anti-korrupsion të injektohet edhe në rastet e montuara anti-shqiptare, si: “Monstra”, “Sopoti”, etj.

Sipas analizave të para që vijnë nga disa prokurorë aktual, vetëm mbi bazën e materialeve të “bombave politike” që janë publikuar në opinion si dhe të atyre që do t`i dorëzohen kryeprokurorit special, do të angazhohen së paku, 100 prokurorë specialë, do të paraqiten së paku 2000 kallëzime penale, do të akuzohen së paku 200 persona, me së paku 50 dëshmitarë të mbrojtur, me ç`rast proceset gjyqësore do të zgjasin prej 5 deri 10 vjet, dhe këto do të jenë proceset më të ndërlikuara gjyqësore në historinë politike dhe shtetërore të Maqedonisë.

Poashtu, pritet që, në të ardhmen, SHBA dhe BE të vendosin në rend dite, edhe fazën tjetër të Maqedonisë pas Ohrit (vaksinimi post-Ohër i Maqedonisë), pra, ri-rregullimi shtetëror i Maqedonisë, me qëllim të vendosjes së barazisë ndër-etnike, politike, kulturore, ekonomike, arsimore dhe sociale të qytetarëve të saj.

Autori është profesor i së drejtës kushtetuese dhe administrative në Fakultetin juridik të UEJL-së

Lajme të ngjashme

Back to top button