Libi, rrëmbehet kryeministri Zeidan

Kryeministri libian, Ali Zeidan është rrëmbyer nga persona të armatosur në një hotel në kryeqytetin Tripoli. Zoti Zeidan është marrë nga agresorët në një lokalitet të paidentifikuar për arsye ende të panjohura, thuhet në një njoftim online të qeverisë.

Detajet e incidentit janë ende të paqarta, por disa burime thonë se ai u arrestua nga një njësi e departamentit të anti-krimit, ndërsa të tjera se ai është marrë peng.

Ditën e hënë kryeministri i bëri thirrje Perëndimit që të ndërpresë ndihmën për milicinë në Libi. Korrespondentja e BBC në Tripoli, Rana Jawad thotë se detajet mbeten të paqarta, por ajo që është e sigurtë është rrëmbimi i Zeidanit në orët e para të mëngjesit nga një hotel.

Faqja e internetit të qeverisë njofton gjithashtu se dyshimet e para bien mbi grupet Dhoma e Kontrollit të Revolucionarëve të Tripolit dhe Komiteti për Luftimin e Krimit. Thuhet gjithashtu se kabineti është thirrur për një mbledhje emergjente nën drejtimin e zëvendëskryeministrit.

Dy vjet pas revoltës që rrëzoi nga pushteti Muammar Gaddafin, qeveria libiane vazhdon të luftojë për të mbajtur nën fre milicitë tribale rivale dhe militantët islamikë, që kontrollojnë një pjesë të vendit.

Ditën e hënë Libia kërkoi shpjegime nga ambasadori amerikan në lidhje me kapjen e liderit të Al Kaedës, Anas al Liby në Tripoli. I dyshuari ishte në kërkim në lidhje me atentatet me bombë në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998.

Ai u kap nga një grup komandosh në një operacion blic mëngjesin e së shtunës. Korrespondentja e BBC thotët se është ende shumë herët për të lidhur rrëmbimin e zotit Zeidan me arrestimin e terroristit.

Muajin e kaluar kryeministri vizitoi Britaninë dhe kërkoi ndihmë për largimin e armëve nga vendi, nga frika e rritjes së kontrabandës së armëve drejt Sirisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button