20 vite pa zgjidhje, Ramadani: Gruevski vonoi zgjidhjen e çështjes së emrit

Sot është shënuar 20 vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së përkohshme me Greqinë. Marrëveshja e nënshkruar e Maqedonisë me Greqinë nën ndërmjetësimin e OKB-së, më 13 shtator të vitit 1995 në New York, pritej të sjell fryt në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Maqedonisë, me theks çështjen e emrit.

Njohësi i çështjeve politike Ismet Ramadani për Portalb thotë se pas 20 viteve kur u nënshkrua kjo marrëveshje mes Maqedonisë dhe Greqisë, për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore me ndërmjetësim të OKB-së është pritur që zgjidhja do të jetë shumë më e shpejt.

“Kuptohet se nuk ka qenë punë e lehtë por të kishte pasur vullnet mes dy shteteve zgjidhja do të ishte gjetur. Këtu mendoj se fajin mund ta ndajnë të gjitha palët nënshkruese në këtë marrëveshje. Mendojë se OKB po të kishte insistuar më shumë, duke e konsideruar edhe ndihmën e faktorëve tjerë ndërkombëtarë, do të ishte gjetur zgjidhje më e shpejt, qoftë edhe arbitrare, por të mos kishte ngelur në vullnetin e palës maqedone dhe asaj greke”, ka thënë për Portalb, Ramadani.

Maqedonia gjatë gjithë kësaj kohe ka menduar se Greqia, siç thonin ata, do të dorëzohet dhe do të pranojë një kompromis që do të jetë më i mirë për Maqedonisë.

Me kalimin e kohës- thotë Ramadani- udhëheqësia e Maqedonisë pak para Samitit në Bukuresht, kur gjasat ishin të mëdha dhe kishte interesim nga administrate amerikane, kryeministri Gruevski nuk e shfrytëzoi këtë vullnet, bëri disa hapa të gabueshme duke ngrit përmendore që preknin antikën greke.

Tendenca me “Shkupi 2014” edhe më tepër mori kahje provokuese ndaj Greqisë. Në këtë mënyrë faktori ndërkombëtarë humbi adutet që t’i bëjë presione Greqisë dhe problemi po vazhdon të mbetet i pazgjidhur. Kjo i ka kushtuar Maqedonisë shumë duke e bërë të ngecë në të gjitha aspektet. Maqedonia më parë kishte miq për t’i ndihmuar, ndërkaq sot ka marr karakteristikat e një shteti problematik”, ka përfunduar Ramadani.

As ndërmjetësuesi Metju Nimic, së fundmi nuk po arrin të gjejë zgjidhje edhe pse ka ndërruar disa herë përbërjen e palëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button