Gruevski kërkon pastrimin e listës zgjedhore, Kondarko nën obstruksionet e VMRO-së

Komisioni shtetërorë zgjedhorë është vënë nën  urdhëratë  e partive politike të cilët i kanë emëruar ata. Rekomandimi i kryeministrit  Nikolla Gruevski , deri te kryetari i opozitës  Zoran Zaev,  për të urdhëruar,  pastrimin e listës zgjedhore nga ana e kryetarit të KSHZ-së, Boris Kondarko, sipas njohësve të mirë të rrethanave, tregon  për varshmërin  e plotë të këtij organi zgjedhor nga faktorët politik. Çështja  e mungesës së pavarësisë së Komisionit shtetërorë zgjedhorë, sipas analistëve  shtron  edhe çështjen e mungesës së demokracisë elementare apo degradimin proceseve parazgjedhore.

Deklaratat e Gruevskit shtron pyetjen se si ai e përjeton pavarësinë e KSHZ-së? Nëse mendon se, atyre mund tu rekomandohet në mënyrë partiake se si të sillen? Në anën tjetër një pjesë e analistëve mendojnë se nuk janë problem vetëm partitë politike, por edhe anëtarët e Komisionit shtetërorë zgjedhorë të cilët nuk treguan integritet për t’u përballur me presionet partiake.

LSDM-ja, ka akuzuar anëtarët e VMRO-së, në KSHZ, për obstruksionet e tyre lidhur me pastrimin e listës zgjedhore. Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, në një deklaratë të tij në mënyrë indirekte ka potencuar këto obstruksione nga ana e anëtarëve të VMRO-së, të cilët kanë shumicën në këtë organ kolektiv. Anëtarët e VMRO-së, mohojnë kategorikisht se pengojnë pastrimin e listës zgjedhore. Kondarko thotë se e gëzon fakti i deklarimeve të anëtarëve të VMRO-së, se grupi punues për verifikimin e listës zgjedhore funksionon, por sipas Kondarkos, Enti shtetërorë për statistikë ende nuk i ka dorëzuar të dhënat e azhurnuara vjetore të listës zgjedhore.

 Profesori universitar Mersel Bilalli thotë se,  është jashtë çdo parimeve demokratike qoftë edhe nga pozita e kryeministrit që të bëhet një apel i tillë dramatik kur është fjala për institucione që kanë sistemin e vet të funksionimit.
“ Paraqitja e Gruevskit  në pozitën e liderit të një partie politike e dëmton pozitën e atij institucioni dhe dëshmon se është i partizuar ndërsa vërehet dhe tendenca për imponimin e një diktature partiake e cila realisht ndeshet me parimet elementare të demokracisë”, thotë Bilalli.
Çështja e pastrimit të listës zgjedhore, sipas tij,  do të jetë një çështje e cila do të prodhojë probleme serioze pasi që ndërlidhet me nënshtetësinë. 
“Sipas informatave të mia që i kam jepen me të madhe nënshtetësi për maqedonasit që janë jashtë Maqedonisë dhe krijohet një jo-balans i madh elektoral. Është fakt se një numër i madh i popullatës është shpërngulur dhe ato, Qeveria i sheh si votues potencial dhe mund të keqpërdoren për manipulime zgjedhore”, thotë Bilalli. 

Mersel Bilalli, thekson mos interesimin për pastrimin e listës zgjedhore nga ana e partisë në pushtet, sepse, sipas tij, me këtë do të ulet numri i votuesve dhe kjo do të nxitë tendencën e Qeverisë për të kompensuar numrin e votuesve duke u dhënë shtetësi personave që vijnë nga jashtë Maqedonisë.

Profesori universitar Zdravko Saveski, thotë se në një demokraci normale dhënia e urdhrave për anëtarët e KSHZ-së, nga ana e një partie politike nuk është normale.

“Për fat të keq, ne në Maqedoni prej kohësh nuk kemi demokraci të shëndoshë dhe rekomandimet e tilla, janë diçka që jo vetëm nuk duken problematike, por që duhet edhe ti përshëndesim si pozitive me qëllim që të fitohet diçka e mirë që është pastrimi i listës zgjedhore”, thotë profesori universitar Saveski.

Lajme të ngjashme

Back to top button