Protesta e Vetëvendosjes, 1 polic i lënduar dhe 15 aktivistë të arrestuar

Policia e Kosovës ka njoftuar se, gjatë aksionit të sotëm protestues të Lëvizjes Vetëvendosje është lënduar një policë, janë arrestuar 15 protestues dhe janë dëmtuar gomat në rreth 55 vetura zyrtare të Qeverisë së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sot më 11.09.2015 rreth orës 11:00, Policia e Kosovës ka pranuar informacionet se rreth 40 persona, aktivist të lëvizjes ‘Vetëvendosja’ kanë hyrë me dhunë brenda oborrit të objektit të ish- Rilindjes, personat e dyshuar kane filluar që t’i dëmtojnë gomat e veturave me targa zyrtare ( rreth 55 veturave iu janë dëmtuar gomat)”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës informon se ka vepruar në bazë të detyrave dhe autorizimeve ligjore për të menaxhuar situatën, ndërsa gjatë kryerjes së detyrës, një zyrtar policor ka pësuar lëndime trupore.

“Gjatë këtyre zhvillimeve janë shoqëruar për në stacion policor 15 persona, të cilët po intervistohen sipas proceduarve të parapara dhe të gjitha veprimet e mëtejshme do të kryhen në pajtim me ligjin” përfundon komunikata e policisë.

Nga ana tjetër, Vetëvendosja në faqen e saj në rrjetin social, njofton se ka edhe aktivistë të lënduar, duke dhënë emrat e Albana Gashit, Etleva Malushajt, Margaritë Hajrizit dhe Valon Simnicës.

Sa i përket të arrestuarve nga Policia e Kosovës, LVV po ashtu jep emrat e tyre dhe ata janë: Gëzon Kastrati, Alban Makolli, Daut Halili, Armend Krasniqi, Vllaznim Krasniqi, Muhamet Merofci, Erden Atiq, Imer Fejza, Uran Hasani, Teuta Hasani, Muhamet Bytyqi, Fatos Sahiti, Kastriot Gërbeshi, Gurjeta Zeka.

Lajme të ngjashme

Back to top button