Heshtja përballë të keqës është krim !

E keqja për vendin tonë filloj tri vite e gjysmë më parë, kur në bisedimet “teknike” të Kosovës me Serbinë në Bruksel, Republika u zavendësua me fusnotë *. Me të filluar bisedimet reagova përmes shkrimit “Të mbrohet Republika e Kosovës” i botuar në gazetën “Bota sot”, të 24 shkurtit 2012, në rubrikën Debate faqe 8, shkrim ky i mirëpritur nga LDK-istët gjithë andej trojeve shqiptare.
Vlenë për t’u theksuar se në atë kohë jo fortë të largët, gazeta në fjalë dhe elektorati i LDK-së përcjellnin me admirim të jashtëzakonshëm përpjekjet e Levizjes Vetëvendosje për rrëzimin e Qeverisë Thaçi 2.
Ndërsa tani kur erdhi finalizimi i atyre bisedimeve, kur ndodhi degradimi dhe rrëshqitja më skandaloze e institucioneve shtetërore, kur u nënshkrua kapitullimi i shtetit përballë “Zajednicës” nga lideri i LDK-së Isa Mustafa, unë reagova prap,…kësaj radhe akoma më fuqishëm përmes shkrimit analog me titull dhe përmbajtje; “Të gjithë në mbrojtje të Republikës së Kosovës”, shkrim ky i botuar me 09.09.2015 në gazetën Kosova sot, në rubrikën Opinione, faqe 8 dhe në dhjetëra portale e faqe interneti,…por që nga LDK-istët (e Isa Mustafës) u përcoll në heshjte dhe indiferencë të plotë, thuajse nuk është duke ndodhur asgjë e keqe për vendin tonë !
Ashtu sikurse para tri viteve edhe tani përmbajtja dhe mesazhi i shkrimit janë përafërsisht të njëjtë,…dallojnë aspekti kohor dhe personazhet e ngjarjeve.
Sikurse atëherë edhe sot objekt i kundërshtimit nuk është emri i kryeministrit por përmbajtja dhe pasojat e marrveshjeve skandaloze në bisedimet e pabarabarta mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Republika e Kosovës nuk është produkt i njërit dhe as tjetrit kryeministër, por është produkt i rezistencës së gjatë paqësore, sakrificave të panumërta të shumë brezave, produkt i gjakut të derdhur të qindëra dhe mijëra dëshmorëve në luftën e fundit çlirimtare. Prandaj nuk duhet lejuar që me fatin e vendit të luajë si të dojë kryeministri i vendit, cili do qoftë ai.
Rrëshqitjet e njëpasnjëshme të qeveritarëve tonë nga elementet themelore të shtetit, jo vetëm që vërtetuan atë thënjën e vjetër; “njëqind sa një, një sa njëqind”, përgjatë udhëtimit “në kohë”, thënja e sipërpërmendur e përkthyer në gjuhën politike na transformohet në; ” një milion s’vlejnë sa një, një vlenë më shumë së një milion”. Thënë më kjartë; “një milion politikan të Kosovës sot nuk vlejnë sa një Ibrahim Rugovë”
Në epokën e Ibrahim Rugovës, opcion i vetëm dhe i panegociushëm ishte Republika e Kosovës, shtet sovran, i pavarur .
U organizuan dy palë zgjedhje në rrethanat e okupimit klasik, dhe dy të tjera në liri, nën protektoratin ndërkombëtar në tërë teritorin e shtetit me logo të Republikës së Kosovës.
Ndërsa në shtetin e “pavarur” politikajt e “moderuar”, te preferuarit e Beogradit dhe Brukselit mbajten zgjedhje me fusnota*, pa logo të shtetit, pa simbole kombëtare,…me margaritarin e ri-listën  “Serbska” e ardhur si produkt i bisedimeve  (Asociacionit i komunave serbe), i finalizuar së fundmi me 25 gusht me nënshkrimet e liderëve shtetëror Thaçi-Mustafa (“Zajednica”).
Shteti i Kosovës, në njërën anë i ndarë me “Zajednicë”, në tjetrën me kaos ligjor në vend është shëndrruar në një vend vërtetë SUI GENERIS, në të cilin nuk funksionon ligji e as kanuni.
Të huajt (ndërkombëtarët) janë bërë zot shpije në shtëpinë tonë. Ne jemi bërë pikë e pesë, të ndarë në shumë parti politike dhe grupe interesi përkrah liderëve partiak duke u larguar nga interesat e përbashkëta kombëtare dhe shtetërore.
“Kur të flejsh me femijë zgjohesh i lagur në mëngjes”, thotë një fjalë e urtë popullore.
Përgjegjësia më e madhe bie mbi grupacionet më të mëdha me traditë të gjatë politike në vend. Në këtë rast është LDK-ja, partia shtetformuese me traditën më të gjatë në skenën politike, e cila ka rrëshqitur nga “shtrati” i saj tradicional demokratik dhe shtetformues, për të rënë keq në shtratin e lagur dhe të thyer nga pesha e krimit dhe korrupsionit politik !
Që kjo të mos i ndodhte LDK-së, drejtuesit e saj ishte dashur me kohë të mendojnë per këto gjëra, e të mos mashtrohen për pak privilegje të pushtetit. Mbështetësit e kryeministrit aktual të mos befasohen për asgjë që po ndodhë, është vet Isa Mustafa që i prodhoj këto situata konfliktuoze në vend pas zgjedhjeve të 8 qershorit, e në veqanti  pas marrveshjes së fshehtë të nëntorit të vitit të kaluar me Hashim Thaçin për bashkqeverisje me PDK-në,…LDK-ja të mos befasohet për degradimin e saj politik, as për fuqizimin e subjekteve dhe grupimeve tjera politike kundër saj.
Përgjegjësia e LDK-së mbetët në  bashkqeverisjen me PDK-në, përfshirë të gjitha zhvillimet pas 8 qershorit të vitit e deri të akti i fundit i nënshkrimit të liderit të saj mbi marrveshjet e arritura në Bruksel nga kryeministri paraprak.
Edhe pse heshtin drejtuesit e saj, elektorati i LDK-së nuk mund dhe nuk guxon të qëndroj indiferent ndaj zhvillimeve të ditëve në vazhdim. Elektorati rugovian duhet të ndaj “shapin prej sheqeri” siq thotë populli, të mos pranoj në asnjë rrethanë bartjen e përgjegjësisë politike për shkak të veprimeve skandaloze të liderit dhe grupeve të interesit mbrenda këtij subjekti politik.
Heshtja përball të keqës përveq se është krim, prodhon anarki dhe shkatrrim në vend. Tashmë nuk janë në pyetje interesat e individëve të caktuar, por është në pyetje e ardhmja e shtetit. Askush nuk guxon të qëndroj i strukur duke shiquar çfarë po ndodhë dhe çfarë po bëjnë të tjerët.
Kundrejt degradimeve të fundit politike në vend duhet ngritur zërin të gjithë pa dallime partiake, fetare apo ideologike qofshin ato,…kemi aq shumë gjëra që na bashkojnë në rrugëtimin e vështirë për ruajtjen dhe mbrojtjen e shtetit dhe identitetit tonë kombëtar.

Lajme të ngjashme

Back to top button