Të gjithë në mbrojtje të Republikës së Kosovës !

Pas shtjerrjes së të gjitha mundësive politike, protestat mbetën mjeti i fundit demokratik në parandalimin e të keqës apo arritjes së qëllimeve të mbrapshta politike.
Paralajmërimi i protestave të fuqishme nga opozita kosovare në parandalimin e “Zajednicës”, mbrojtjen e sovranitetit të shtetit, rrezimin e qeverisë, shëmbjen e piramidës së krimit dhe korrupsionit…nga analist të porositur nga qeveria është duke u “vlerësuar” si paralajmërim i një  “Revolucioni të Vonuar Demokratik”,  i  krahasuar me atë të ’97-tës në Shqipëri?!
Ashtu siq e kam cekur edhe me parë, janë të gjithë deputetët shqiptar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pa dallime partiake, pozitë dhe opozitë, që duhet të unifikojnë veprimet për mbrojtjen e interesave të shtetit, të së ardhmës së qytetarëve të vendit.
Deputetët shqiptar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të bashkuar kundër marrveshjeve të Brukselit, jo vetëm që do të mbrojnë amanetin e dëshmorëve (Republikën e Kosovës),…duke parandaluar situatën konfliktuoze në vend, do të mbrojnë drejtëpërsedrejti edhe jetën e qytetarëve, të ardhmen e tyre në shtetin e Kosovës.
Në veqanti kësaj radhe opozita duhet të tregohet më e kujdesshme se asnjëherë më parë, shkaku i rrezikut nga prapaskenat e Beogradit, i cili kohëve të fundit ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e saj kundër shtetit të Kosovës. Kur e themë të gjithë mekanizmat i kam parasysh edhe disa prej shqipëfolësve të “fjetur”, të cilët Serbia me aq lehtësi i aktivizon në situatat më shpërthyese për vendin tonë!
Si në të kaluarën, edhe tani mjeranët dhe të dështuarit politik, fatzinjët dhe kobndjellësit e kombit shqiptar ngjallen si fantazma duke sulmuar vlerat më sublime të kombit,…duke sulmuar engjullin Rugovë në parajsën e tij, nënë Terezën, Skënderben,…e kështu më radhë, me qëllim të shkaktimit të urrejtjes dhe përçarjes etnike dhe fetare mbrenda popullatës shqiptare.
Këtyre fatzinjëve sikur nuk po u mjafton “Zajednica”, po kërkojnë kthimin komplet të pushtetit serb mbi tërë territorin e Kosovës !
Këto që themë nuk janë insinuata as hipoteza politike, por janë plane dhe ambicie permanente të pushtuesve tonë verior, që tashmë po shifen qartë në horizont.
Shtrohet pyetja çfarë munden dhe çfarë duhet të bëjnë subjektet tona politike në parandalimin e këtyre planeve antikombëtrae dhe antishtetërore?
E para e punës, është koordinimi dhe unifikimi i veprimeve të partive politike shqiptare në parandalimin e ratifikimit të marrveshjeve të fundit të Brukselit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Mosvotimi i atyre marrveshjeve fatkeqe nga ana e deputetëve shqiptar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përveq se do të mbronte kushtetutshmërinë dhe sovranitetin e vendit, do të shfuqizonte të gjitha marrveshjet e fundit në Bruksel, të nënshkruara nga  kryeministri i vendit, shkarkimin e menjëhershëm të tij dhe qeverisë që ai drejton si pikënisje e gjithçkaje,  mandej anulimin e të gjitha marrveshjeve të arritura deri më tani me Serbinë në Bruksel.
Formimi i menjëhershëm i një Qeverie të shpëtimit kombëtar në mbrojtje të shtetit të Kosovës deri në mbajtjën e zgjedhjeve të lira e demokratike.
Me këtë do të hapej një kapitull të ri i mardhënjeve ndërkombëtare si dhe do të vihej një standard i ri në qeverisjen e vendit.
Rruga parlamentare e zgjidhjes së problemeve të mbrendshme, do të impononte një qasje krejt tjetër të ndërkombëtarëve karrshi shtetit të Kosovës.
Me pjekurinë tonë politike, me vendosmërinë kombëtare në mbrojtjen e sovranitetit të shtetit tonë do t’ia arrijmë t’i bindim edhe miqt tonë për aftësistë tona shtetndërtuese.
Andaj kësaj radhe deputetët e partive politike shqiptare, pjesmarrëse në qeverisjen e vendit (PDK-LDK), mbi interesat e tyre personale apo partiake duhet të dalin në mbrojtje të interesave shtetërore,…të mos bien pre e liderëve të shantazhuar politik të futur në rrugën  “SENSO UNICO” (njëkahëshe) drejt realizimit të interesave të Serbisë mbi Kosovë !
Në të kundërtën, partitë politike me katandisjen dhe rrokullisjen e tyre të pakontrolluar rreth pushtetit do t’i humbin të gjitha; shtetin dhe pushtetin,  mbështetjen e miqëve ndërkombëtar dhe ajo çka është më e dhimbshmja,   përfundimisht  do ta humbin përkrahjen dhe besimin e gjithë qytetarëve të vendit.
Mosreflektimi pozitiv i deputetëve të pozitës ndaj aktualitetit tejet të rënd politik, mund të prodhoj situata të reja, që rrjedhin si domosdoshmëri e kohës për pengimin  e anarkisë politike në vend,…për  mbrojtjen e sovranitetit të shtetit, mbrojtjen e integritetit dhe identitetit kombëtare në këto hapsira.
Mbrojtja e shtetit pa dallim partiak apo fetar, më të gjitha mjetet demokratike duke filluar nga: protestat, demonstratat, grevat e pergjithëshme deri në një rezistencë aktive e paqësore mbarëkombëtare është e drejtë natyrore të cilën nuk mund ta mohoj as komuniteti ndërkombëtar.
Shteti i Kosovës duhet të mbetët kështu si është,  Republika e Kosovës pa fusnota dhe pa asociacione etnike, ngase ndryshe nuk mund të ekzistoj si i tillë, sikurse pavarësia që duhet të jetë e plotë ose ndryshe nuk mund të quhet ashtu, nuk ka gjysëm pavarësi, as gjysëm liri.

Lajme të ngjashme

Back to top button