Opozita paralajmëron protesta

Opozita nuk e ka ndërmend që të ndalet së kërkuari dorëheqjen e Qeverisë “Mustafa” pas nënshkrimit të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ajo thotë se Kosova po hyn në një fazë të protestave të cilat sipas tyre nuk do të ndalen deri në shkarkimin e Qeverisë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, ka thënë për gazetënZëri se për shkak se kjo Qeveri nuk ka gjasa të bindet se po vepron në dëm të vendit dhe se duhet të dorëhiqet, e vetmja mënyrë ka mbetur që përmes protestave Qeveria të detyrohet për t’u dorëhequr.

“Kështu që gjasa ka me e detyruar dhe që janë të domosdoshme protestat, siç po shihet, ato janë të pashmangshme. Duhet të jemi të vetëdijshëm që po futemi në një fazë të protestave dhe ato do të vazhdojnë deri në zgjedhjet e ardhshme. Jo pse qytetarët dhe ne e duam protestën, por protesta ka mbetur zgjidhja e vetme për t’i ndalë këto të këqijat e Kosovës të cilat të vetmen valvulë e kanë Qeverinë e Kosovës”, është shprehur Selimi.

Lajme të ngjashme

Back to top button