Fotografitë më dramatike që tronditën botën

Me siguri të gjithë e keni parë foton e Ailan Kurdit, 3-vjeçarit sirian që u gjet i pajetë në një plazh të Turqisë. Vogëlushi u nxor nga dallgët, pasi gomonia me të cilën ai dhe familja e tij lundronin nga Bodrumi drejt ishullit grek të Kosit, u fundos në detin Egje mesnatën e së martës.

Mund t’i mbani mend mirë këpucët e tij të zeza “Velcro”, bluzën e kuqe me mëngë të shkurtra, trupin e vogël shtrirë përmbys që lagej lehtas nga dallgët. Publikimi i atyre fotove thuajse nga të gjitha mediet botërore çeli një debat etik: a duhen publikuar pa censurë imazhe të fëmijëve të vdekur apo që vuajnë?

Përkundër pikëpamjeve të ndryshme, fotoja tashmë është bërë pjesë atij fondi imazhesh që kanë formësuar kuptimin tonë për ngjarjet globale, e që ka të ngjarë të jetojë në mendjet tona për vite të tëra.

“Kur sheh foto të një fëmije të vdekur apo që po vdes, s’ka rëndësi kush je apo ku ndodhesh: ti prekesh”, shpjegon Megi Steber, fotografe dokumentare dhe kontribuuese për një kohë të gjatë e “National Geographics”, pjesë e jurisë përzgjedhëse për çmimin “Pulitzer” këtë vit, transmeton Shekulli.

Ajo merr si shembull foton e fotografit Nik Ut shkrepur në vitin 1972, që tregon vajzën 9-vjeçare vietnameze Phan Thi Kim Phuc – e njohur edhe si “Vajza e napalmit” – si një ndër pamjet më me ndikim në histori. Në këtë fotografi, Phuc vrapon e zhveshur në një rrugë, pasi ka pësuar djegie në trup nga një shpërthim.

Në rrëfimet e saj ajo kujton që i hoqi rrobat duke ulëritur: “Shumë nxehtë, shumë nxehtë!”. Shpina i ishte djegur aq shumë, sa iu deshën më shumë se një dyzinë operacionesh e mbi një vit kohë qëndrimi në spital për ta marrë veten.

“Është tepër e fuqishme, sepse i bën njerëzit të kuptojnë vërtet atë çka po ndodh”, shpjegon Steber, për të cilën kjo foto është një ndër arsyet kryesore që shtynë presidentin amerikan Lindon Xhonson t’i jepte fund Luftës në Vietnam.

Pse tragjeditë e fëmijëve na prekin më tepër

Po cila është arsyeja që fotot e rënda të fëmijëve na prekin në shumë? Sipas psikologëve, shpjegimi është i thjeshtë: ato na bëjnë të mendojmë për fëmijët tanë, apo për fëmijët që vetë ishim dikur. Ne provojmë dhimbje e tmerr për vuajtjet e tjetrit, kryesisht kur tjetri është njësoj si ne. Madje sa më i ngjashëm, aq më shumë e vuajmë. Kjo ndjesi mund të shkaktojë një reagim në zemër, një vëmendje të beftë ndaj një çështjeje që në rrethana normale është e largët.

Kur fotoja përhapet me shpejtësi, miliona zemra preken njëherazi. Njerëzit nisin e flasin rreth atij imazhi, duke u bërë nismëtarë të vendimeve që ndryshojnë përgjithnjë historinë. “Ka të bëjë me të qenët krejtësisht në mëshirë të ndodhive rreth teje, pa qenë në gjendje ta mbrosh veten. Kjo prek zemrat dhe shpirtrat e njerëzve”, thotë fotoreporterja Karol Guzi.

2 shtator 2015: 3-vjeçari sirian Ailan Kurdi nxirret nga dallgët në një plazh të Turqisë, pasi varka me të cilën udhëtonte bashkë me familjen u fundos në Egje
Foto: Nilufer Demir / AFP/Getty Images


8 qershor 1972: Kim Phúc duke vrapuar e zhveshur në një rrugë pranë Trang Bangut, pas një sulmi me napalm nga forcat ajrore të Vietnamit të Jugut
Foto: Nick Ut / AP


3 mars 1999: Të ribashkuar pasi kishin lënë shtëpinë gjatë luftës në Kosovë, familjarët e kalojnë 2-vjeçarin Agim Shala përmes një gardhi me gjemba në duart e gjyshit të tij në një kamp refugjatësh në Shqipëri
Foto: Carol Guzy / The Washngton Post/Getty Images


5 shtator 2014: James Dorbor, 8 vjeç, transportohet nga mjekët në një qendër kujdesi në Monrovia të Liberisë, pasi dyshohet se është prekur nga Ebola
Foto: Daniel Berehulak / New York Times


Dhjetor 1984: Sharbat Gula, refugjatja afgane me sy të përhumbur, mbuloi faqen e parë të revistës “National Geographic” në vitin 1985
Foto: Steve McCurry / National Geographic


1945: Një fëmijë japonez pret në radhë për ta hedhur në turrën e djegies kufomën e vëllait të vogël të vrarë nga bomba bërthamore në Nagasaki
Foto: Joe O’Donnell / USIA 

Lajme të ngjashme

Back to top button