Rritet numri i refugjatëve në kufirin jugor të Maqedonisë!

Sot nga Greqia në kufirin jugor të Maqedonisë në të njëjtën kohë arritën rreth 1 mijë refugjatë të cilët ishin lejuar të kalojnë nga policia kufitare greke. Grupi i refugjatëve depërtoi kordonin e policisë maqedonase dhe hyrën në territorin e Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në vendkalimin kufitar greko-maqedonas duke pritur lejen për hyrje në territorin e Maqedonisë ishte edhe Mustafa nga Afganistani. “Erdhëm nga Greqia, sjellja e policisë greke ishte shumë e keqe, poashtu edhe kjo sjellje e policisë maqedonase nuk është e mirë. Kjo nuk është mirë dhe nuk dua të mbetem këtu, kam ndërmend të shkoj në Gjermani “, u shpreh ai.

Jo shumë larg nga Mustafa, në të njëjtën vijë kufitare ishte edhe një refugjatë tjetër nga Afganistani, i cili nuk deshi të zbulohet identiteti i tij, por për AA-në shpjegoi udhëtimin e tij nga Afganistani dhe dëshirën e tij për një jetë më të mirë.

“Vij nga Afganistani, prej nga kam filluar që tre muaj. Populli nga Irani, Turqia dhe Greqia u sollën shumë mirë me ne, por policia greke nuk e bëri të njëjtën. Unë nuk kam të ardhme në vendin tim dhe për këtë arsye do të shkojë në një vend më të sigurt, ku dhe do të kem mundësi për një jetë më të mirë. Njerëzit sikur ne kanë nevojë për ndihmë”, thotë ai.

Refugjatët ankohen për pritjen e gjatë në vendkalimet kufitare, e cila sipas tyre është e panevojshme, pasi që nuk duan të qëndrojnë në vendet e Ballkanit, por duan të vazhdojnë udhëtimin drejt vendeve të Evropës Perëndimore. Gjatë ditës së djeshme nga qendra për pritjen e refugjatëve në afërsi të qytetit të Gjevgjelisë, katër trena prej rreth 2 mijë refugjatëve kanë transportuar drejt kufirit verior me Serbinë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë në periudhën prej orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm deri në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm ka dhënë 814 vërtetime shtetasve të huaj. Nga numri i përgjithshëm i vërtetimeve të lëshuara 513 janë të gjinisë mashkullore, 112 janë të gjinisë femërore, 164 janë fëmijë të shoqëruar nga bartësit e vërtetimeve, si dhe 25 fëmijë tjerë të cilët udhëtojnë pa prindër. Numri më i madh i personave që u është dhënë vërtetim janë nga Siria (755), Afganistani (50), Pakistani (6) dhe prej vendeve të tjera numri është më i vogël.

Në periudhën prej 19 qershorit të këtij viti deri më sot u janë dhënë vërtetime 53.571 shtetasve të huaj, prej të cilëve 36.930 janë të gjinisë mashkullore, 7.336 janë të gjinisë femërore, 8.338 janë fëmijë të shoqëruar nga bartësit e vërtetimit, si dhe 967 fëmijë të cilët udhëtojnë pa prindër, të cilëve u është lëshuar vërtetim për qëllimin e shtrimit të kërkesës për njohjen e të drejtës së azilit.

Ndërsa, sipas shtetësisë së personave të cilëve u janë dhënë vërtetime, më të shumtë janë shtetasit e Sirisë (43.478), Afganistani (2.825), Iraku (2.477), Pakistani (1.622), Palestina (694), Somalia (564), Bangladeshi (360), Kongo (310), Nigeria (188), Kameruni (158), Eritrea (142), Etiopia (109), ndërsa të tjerët janë në numër më të vogël.

Lajme të ngjashme

Back to top button