Lirohen turistët grekë që kishin xhiruar me kamerë godinën e Kuvendit

Policia ka informuar se dy turistët grekë që kishin xhiruar me kamerë godinën e Kuvendit, janë liruar pa kallëzime penale. 

Dy grekët janë ndaluar javën e kaluar nga Policia, pasi ishin pikasur teksa xhironin me kamerë godinën e institucionit ligjvënës. 

Në video-materialin e sekuestruar, Policia nuk ka gjetur elementë të cenimit të sigurisë shtetërore, si pretekst me të cilin janë ndaluar grekët. 

Ngjarja ka ndodhur të mërkurën e kaluar, rreth orës 10 të mëngjesit, kur nga një makinë me targa të huaja, e parkuar përballë Kuvendit, dy shtetasit kishin xhiruar me kamerë godinën.

Shërbimet e sigurisë kishin vërejtur makinën dhe veprimet e dy shtetasve, dhe kishin informuar Policinë, e cila i ka ndaluar ata. 

Dy shtetasit, të cilët ndodheshin si turistë në Shkup, nuk kishin pasur asnjëfarë leje për xhirim, siç kërkohet rëndom nga Kuvendi.

Lajme të ngjashme

Back to top button