Viti i ri shkollor, probleme të vjetra

Sot fillon viti i ri shkollor në mbarë Maqedoninë, me ç’rast shkollat periferike edhe këtë gjysëmvjetor e fillojnë në kushte të mjerueshme dhe jo të përshtatshme për zhvillimin e mësimit.

Gjysmëmaturantët e Sarajit dhe të Haraçinës sërish detyrohen të udhëtojnë deri në Shkup për të ndjekur mësimin edhe pse disa herë u premtuan shkolla të mesme në këto vendbanime, ato ngelën vetëm premtime boshe.

Banorët e këtyre lagjeve shprehen pesimist dhe thonë se premtimet u bënë vetëm si fushatë zgjedhore, dhe nuk u realizuan aspak.

Nderkaq shkollat fillore  “Liman Kaba” në Lubeten të Shkupit, “Vasill Gllavinov” në fshatin Slivnik të Velesit dhe shkolla “Ismail Qemali”në Nerasht të Tetovës edhe këtë vit e fillojnë në kushte të mjerueshme dhe jo adekuate për mësim.

Drejtori i shkollës fillore të Lubetenit, Xhezmi Abdyrrahmani thotë se kushtet në këtë shkollë vazhdojnë të jenë të papërmirësueshme dhe shton se është vështirë që kështu të zhvillohet mësimi.

“Kushtet janë të njëjta pa asnjë ndryshim. Ministri i Arsimit ende nuk na ka vizituar por nga MASH na e kërkuan plan projektin për rindërtimin e shkollës dhe ka më shumë se një muaj e gjysmë që e kemi dërguar por ja që ende nuk kemi asnjë informacion lidhur më këtë çështje, shpresojmë që sa më shpejtë të rregullohet shkolla sepse nuk është mirë që klasat të jenë të improvizuara dhe numri i nxënësve në një klasë të jetë tejet i madh, sepse këto gjëra ndikojnë dhe pengojnë dukshëm zhvillimin e mësimit”, tha për Portalb, Abdyrrahmani.

Po ashtu pothuajse e njëjta situatë mbizotëron edhe në shkollën fillore  “Vasill Gllavinov” në fshatin Slivnik të Velesit, ku mësimdhënësi Qemal Musa thotë për Portalb, se objekti i ri ende nuk është gati dhe se ka shumë punë.

“Sërish këtë vit shkollor e fillojmë po në ato kushte si më parë. Sa është e përshtatshme që në një klasë të mësojnë 86 nxënës, këtë le ta vlerësojnë të tjerët. Punimet për ndërtimin e objektit kanë filluar por ka edhe shumë punë, ato nuk përfunduan ashtu siç u premtua, që deri më 1 shtator të jetë gati”, tha për Portalb, Musa.

Gjithashtu edhe objekti i shkollës fillore “Ismail Qemali” në Nerasht të Tetovës është i vjetër dhe procesin mësimor e ndjekin në kushte të rënda, madje edhe me rrezikun nga shembja e kulmit të shkollës i cili mbahet nga drunj të kalbur./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button