Skënderbeu përshëndetet me Ligën e Kampioneve, e pret Europa

Skënderbeu është eliminuar nga Liga e Kampionëve, pasi që ka humbur edhe ndeshjen kthyese kundër Dinamos së Zagrebit, me rezultat 4-1, të martën mbrëma në “Maksimir”, ndërsa gjiganti kroat me rezultat të përgjithshëm 6-2, ka siguruar kualifikimin në fazën e grupeve të Championsit.

Kampionët e Shqipërisë u munduan mjaft shumë që të bëjnë diç më shumë në ndeshjen e kthimit, megjithatë, ishte ekipi kroat që u tregua më i mirë, duke shfrytëzuar mjaft mirë gabimet e skuadrës shqiptare, veçmas në repartin e mbrojtjes.

Dinamo pas nëntë minutave lojë zhbllokoi rezultatin përmes Soudanit, mirëpo, Skënderbeu u rikthye në lojë dhe vetëm pas një minuti barazoi shifrat në 1-1, me golin e Esquerdinha.

Gëzimi i ekipit shqiptar ishte i shkurtër për shkak se nikoqirët përsëri kaluan në epërsi më golin e Hodzic (15’), rezultat më të cilin skuadra shkuan në pushim.
Edhe në pjesën e dytë ishte Dinamo që e kontrollonte lojën në terren, madje, edhe më një lojtar më pak në terren. Në minutën e 55-të më anë të Taravel dinamovitet ngritën rezultatin në 3-1, kurse Soudan (80), doli përsëri në skenë dhe shënon golin e katërt për Dinamon, të dytin personal.

Përfundimisht Skënderbeu i thotë lamtumirë Ligës së Kampionëve, por jo edhe garave evropiane, sepse skuadra korçare tashmë e ka siguruar fazën e grupeve në Europa League.

Lajme të ngjashme

Back to top button