Maqedonia nuk ka kohë për të humbur

“Maqedonia nuk ka kohë për të humbur”. Është një fjali që kohëve të fundit, sidomos vitin e fundit e kemi dëgjuar nga ndërkombëtarët sa i përket ardhmërisë euro-integruese të këtij shteti të vogël ballkanik. Afatet janë përcaktuar, grupet punuese gjithashtu, ka mbetur vetëm implementimi i plotë i marrëveshjes së 2 Qershorit, marrëveshje kjo e cila është çelës për të “rënë në sy të mirë” para Bashkimit Evropian, thonë ekspertët për Portalb.

Nëse nuk përmbushen detyrimet e marrëveshjes, na pret një krizë e re dhe më e rëndë, vendi do të humb rekomandimin për fillim të bisedimeve me BE-në, alarmojnë ata.

“Grupet punuese janë mundësi për ta kapë trenin e fundit të BE-së dhe për ta shpëtuar të ardhmen evropiane. Megjithatë, do të jetë punë shumë e rëndë për atë grupin punues sepse qeveria padyshim e pengon zbatimin e marrëveshjes së Përzhinos dhe nuk ka interes në implementimin të plotë të kësaj marrëveshjeje. Në këtë aspekt, me rëndësi është konsistenca e bashkësisë ndërkombëtare për t’u bërë presion të dy palëve, dhe para të gjithave qeverisë për t’i përmbushur detyrimet e marrëveshjes. Përndryshe na pret një krizë e re dhe më e rëndë me pasoja të paparashikuara. Zbatimi është elementi kyç i marrëveshjes së Përzhinos.”shprehet për Portalb, Bojan Mariçiç nga Qendra Evropiane për Edukim Evropian (QMAE).

Përderisa ende nuk kemi të dhëna zyrtare nga ajo se çfarë ndodh pas dyerve të mbyllura në Klubin e Deputetëve në Shkup ku grupet punuese të partive politike zhvillojnë negociatat, mësojmë se ata janë marrë vesh rreth zgjedhjes së anëtarëve të KSHZ. Ndërkaq, ende janë larg marrëveshjes për votimet e diasporës dhe kanë përparim të vogël rreth çështjes për Listën Zgjedhore. Aq më shumë, ende nuk kanë afruar qëndrimet për Prokurorin Special.

“Vlerësimi i përgjithshëm i raportit të KE-së do të varet nga zbatimi i marrëveshjes së Përzhinos në shtator, konkretisht si dhe nëse do të zgjidhet Prokurori Special i ri. Nëse plotësohen detyrimet në shtator vlerësoj se rekomandimi do të mbetet, por nuk besoj se do të fillojnë negociatat. Mund të fillojë zbatimi i HLAD-it.” shprehet më tej Mariçiç.

Për drejtoreshën e Institutit për Politikë Evropiane, Malinka Ristevska-Jordanova ekziston mundësi reale që Maqedonia ta humb rekomandimin për fillim të bisedimeve me Bashkimin Evropian nëse nuk zbatohet marrëveshja e 2 qershorit.

“Ju rikujtoj se madje implementimi i kësaj marrëveshje nuk do të thotë që Maqedonia do të merr datë për bisedime me BE-në sepse më pas ne do të duhet të uleshim dhe të merreshim me çështjen e emrit, është kjo një sferë që deri më tani nuk kemi punuar aspak.” shprehet për Portalb, Jordanova.

Nga ana tjetër, Mariçiç rekomandon që të përfshihen organizatat qytetare në monitorimin e zbatimit të marrëveshjes së Përzhinos dhe të japin ide të mira në ato pika ku nuk ka marrëveshje ndërmjet palëve.

Në tetor do të publikohet raporti i ri i Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë në rrugën euro-integruese. Ekspertët në fjalë janë të mendimit se ai do të mundohet të mbledh konstatime pozitive nëse implementohet marrëveshja e Përzhinos si dhe për ta ruajtur rekomandimin për fillim të bisedimeve.

Përderisa për çdo vit secila parti në pushtet dhe opozitë premton inkuadrim në BE, tani që marrëveshja e Përzhinos i ka afruar në një tavolinë ata, mbetet të shihet sa do të jenë të përkushtuar për ardhmërinë evropiane të Maqedonisë. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button