Nënshkruhet marrëveshje mes Parisit dhe Londrës rreth krizës së emigrantëve

Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve dhe Sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe Tereza May nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi të enjten për masat e përforcuara të sigurisë rreth tunelit Channel, raporton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja parashikon krijimin e një “qendre të re të komandës dhe kontrollit” e cila do të vendoset në terminalin e Eurotunnel-it për të penguar grupet që kontrabandojnë në Calais,. Evropa përballet me krizën e saj më të madhe të migracionit që prej Luftës së Dytë Botërore, më shumë se 100.000 emigrantë mbërrijnë në kufijtë evropianë çdo muaj këto tre muaj të fundit, sipas agjencisë kufitare Frontex të BE-së.

Duke folur në terminalin e tunelit, Cazeneuve theksoi se ekipet britanike do të vendosen për të shkatërruar grupet që kontrabandojnë dhe për të kontrolluar emigrantët në përpjekjet e tyre për të hipur në kamion gjatë natës dhe për ta kaluar tunelin.

Marrëveshja gjithashtu bën thirrje për rritjen e prezencës të forcave franceze të policisë që do të vendosen në terminalin Calais, dhe për kërkime shtesë ndaj kamionëve dhe trenave që përshkojnë tunelin Channel. Do të ketë më shumë mbrojtje përreth terminalit, më shumë kamera të sigurisë dhe ndriçim si dhe do të instalohen kamera të teknologjisë të zbulimit infra të kuqe.

Për këtë marrëveshje gjithashtu janë ndarë 10 milion euro (11.2 milion dollarë) që për dy vite të përshpejtojë procesin e kërkesave për azil dhe për të siguruar ndihmë humanitare për emigrantët.

Cazeneuve theksoi se “vendosmëria e të dy qeverive (franceze dhe britanike) do të shkatërroj rrjetet e emigracionit të paligjshëm”.

“Kontrabandistët duhet të dinë se do të identifikohen, kapen dhe dënohen nga drejtësia, dhe ne ju sigurojmë se jemi të vendosur për të shkatërruar këtë trafik të neveritshëm, e cila çon në tragjedi njerëzore dhe do ti jap fund vdekjeve”, tha ai para gazetarëve.

Oficerët e policisë të të dyja palëve, franceze dhe britanike do të punojë në qendrën e komandës dhe kontrollit. Një komandant i lartë britanik dhe një francez do të ndajnë menaxhimin e qendrës, që do të ndërtohet pranë hyrjes së Eurotunnel-it.

Të dy ministrat u takuan edhe me shoqatat dhe zyrtarët e zgjedhur lokalë gjatë vizitës në Calais.

Sipas policisë franceze, numri i emigrantëve të vendosur në port është rritur në 3,500, prej të cilëve 1,500 janë përpjekur në fakt që përmes trenave të mallrave të futen në Britani të Madhe deri në fund të korrikut.

Cazeneuve pritet të takohet me homologun e tij gjerman Thomas de Maiziere në Berlin për bisedime mbi politikat e migrimit të Evropës.

Që nga qershori 16 emigrantë kanë humbur jetën në përpjekjet e tilla, sipas organizatës franceze mjekësore Médecins du Monde, e cila ka hapur një klinikë lëvizëse në vend.

Sipas Entit të Statistikave të Bashkimit Europian (Eurostat), 31,475 emigrantë kanë kërkuar azil në Britani të Madhe në vitin 2014. Kjo është rreth gjysma e numrit të aplikuesve për kërkesën e njëjtë në Francë, por, në Britaninë e Madhe, 39 përqind e këtyre kërkesave janë miratuar në krahasim me 22 përqind në Francë.

Komisioneri i lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) kohët e fundit i ka bërë thirrje Francës që të dalin me një plan urgjent për emigrantët në Calais.

Kryetarja e Calais, Natacha Bouchart, ka kërkuar kompensim të mërkurën prej 50 milion euro ( 55.8 milion dollar) nga Franca dhe Britania për dëmet që ka pësuar qyteti për shkak të krizës së emigrantëve.

“Nëse britanikët mund të ndajnë 25 milion euro për sigurinë e portit dhe tunelit, atëherë mundet që të dyja vendet të ndajnë 25 milion euro për aspektin ekonomike të zonës”, tha Bouchart.

Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Nils Muiznieks ka bërë thirrje shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që të “qëndrojë obligimeve të tyre për të mbrojtur të drejtat themelore sociale të gjithëve që ndodhen nën juridiksionin e tyre”, duke përfshirë edhe ato të “emigrantëve ilegal”.

Lajme të ngjashme

Back to top button