Loja e numrave është kyçe për zgjedhje të drejta në Maqedoni

Me 15 korrik të këtij viti, me ndihmën e BE, liderët e partive më të mëdha politike në Maqedoni kanë arritur marrëveshje për të zgjidhur krizën politike në vend. Marrëveshja urdhëron zgjedhje të reja për prill të 2016-ës, ndryshime në personel të disa ministrive kyçe të qeverisë, emërimin e Prokurorit Special që do t’i udhëheq hetimet mbi skandalin e përgjimit, dhe dorëheqjen – 100 ditë para zgjedhjeve – e Kryeministrit aktual, Nikola Gruevski. Shumë komentatorë lëvduan marrëveshjen për mundësinë që e ka për kapërcyer krizën aktuale politike. Të tjerë kanë vënë në pyetje kredencialet demokratike të procesit, i cili, përveç katër partive të mëdha të vendit, i ka lënë jashtë shumë palë tjera të interesit politik, shkruan Kosovo 2.0.

Megjithatë një ‘lojë e rëndësishme e numrave’ është kyçe për të organizuar zgjedhje të drejta në Maqedoni. Një seri e bisedave që u lansua gjatë skandalit të përgjimit në pranverë zbuloi keqbërje dhe parregullsi të mëdha zgjedhore në listën e votuesve. Këto biseda të përgjuara gjithashtu theksuan praktika alarmuese në nivelin bazë përgjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2013 dhe zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të vitit 2014. Në detaje të neveritshme, publika e përgjithshme mund t’i dëgjonte ministrat dhe zyrtarët e tjerë të lartë të ekzekutivit, duke komplotuar që t’i vjedhin fletëvotimet dhe dosjet, dhe të rekrutojnë maqedonë etnik prej komunës së Pustecit në Shqipëri, që të votojnë në disa prej komunave të Shkupit.

Gjatë dhe pas zgjedhjeve në 2013 dhe 2014, vëzhguesit e shoqerisë civile publikisht paraqitën gjetjet e mijëra votuesve fantazmë që ishin në posedim të disa letërnjoftimeve, dhe të njerëzve që janë sjellur për të votuar prej komunave tjera. Këto raporte treguan se votuesit prej Pustecit votuan si anëtarë të diasporës së Maqedonisë në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, para se të silleshin që të votojnë në disa qytete përgjatë Maqedonisë. Letërnjoftimet e tyre u regjistruan në adresa joekzistuese, dhe kishte raste ku më shumë se 30 vitues ishin të regjistruar si banorë në një apartament.

S’është nevoja të thuhet se shembuj të tillë shkaktuan shqetësime të mëdha se regjistri i votuesve ishte i vjetër dhe kështu ishte i ekspozuar ndaj manipulimit të paligjshëm. Në shkallë më të madhe, shqetësimet dobësuan ligjshmërinë e tërë procesit zgjedhor, veçanërisht për shkak se asnjëherë nuk u adresuan nga Komisioni Zgjedhor Shtetëror (SEC), edhe pse u shpreh nga opozita, OSCE dhe anëtarët e sektorit të OJQ-ve të Maqedonisë.

Aktualisht, SEC ka mandatin për ta përpiluar dhe rifreskuar regjistrin e votuesve. Megjithatë, në praktikë, Ministria e Brendshme është ajo që e administron procesin duke siguruar të dhëna të atyre personave mbi moshën 18 që posedojnë letërnjoftime të vlefshme. Një praktikë e tillë është dëshmuar të jetë problematike, veçanërisht pasi që disa telefonata të publikuara gjatë skandalit të përgjimit zbuluan se Ministria e Punëve të Brendshme ishte bastion i madh i partisë udhëheqëse, dhe se zyret e ministrisë ishin shndërruar praktikisht në seli të partisë dhe po përdoreshin si qendra të thirrjeve telefonike gjatë zgjedhjeve.

SEC – që ka fuqi punëtore me vetëm shtatë anëtarë të stafit që janë të specializuar në regjistrim të votuesve, dhe vetëm 70 deri në 90 ditë prej thirrjes zyrtare për zgjedhje – vështirë se ka kapacitet ose kohë të verifikojë vlefshmërinë e regjistrit. Si rezultat i kësaj, për shkak se regjistri aktual i votuesve regjistron numrin e letërnjoftimeve të dhëna në vend se numrin e votuesve të pranueshëm, në zgjedhjet e fundit të vitin 2014 kishte më shumë votues të regjistruar (1,780,128, prej të cilëve 23,780 u regjistruan si të diasporës) se qytetarë të moshës 18 e më lartë, të cilët, po të ishin të pranueshëm, mund të regjistroheshin për të votuar (1,641,904).

Regjistri i votuesve duhet medoemos të rifreskohet për të reflektuar numrin e votuesve të pranueshëm para zgjedhjeve të ardhshme që do të mbahen në prill 2016. Megjithatë, shtrohet pyetja: Si duhet të ndodh ky rifreskim?

Aktualisht ekzistojnë dy propozime. Sipas njërit propozim që është sugjeruar nga përfaqësuesit e OJQ-ve që ishin të përfshira në monitorimin e zgjedhjeve të kaluara, regjitri i votuesve duhet të krijohet përsëri, duke përdorur një sistem të regjistrimit të votuesve aktiv në vend të sistemit aktual automatik të regjistrimit. Me këtë propozim votuesit do të regjistroheshin në autoritetet e tyre lokale, ose prej përfaqësuesve të SEC duke përdorur sistemin ‘prej derës në derë’. Për më tepër, sipas këtij propozimi, skenimi i shenjave të gishtërinjëve do të siguronte identifikimin e votuesve, edhe në kohën e regjistrimit, edhe në qendrën e votimit para se të ipet vota. Kjo reformë do të bëhej njëkohësisht me disa reforma tjera në SEC, anëtarët e së cilës do të duhej të jenë profesionistë në atë karierë në mënyrë që të minimizohet rreziku i ndikimit nga partitë.

Ndërkohë, Gruevski – lideri i partisë udhëheqëse të krahut të djathtë VMRO-DPMNE dhe njëra prej figurave qendrore në skandalin e përgjimit – lajmëroi planet e qeverisë për të mbajtur regjistrim të ri të përgjithshëm të popullsisë, i cili, po të administrohet me sukses, do të ishte i pari në Maqedoni që prej vitit 2002. Edhe pse detajet e propozimit ende nuk janë përcaktuar, ai tha se 70 përqind të të dhënave të nevojshme do të mblidheshin elektronikisht, në bazë të të dhënave që i përmbajnë regjistrat aktuale të lindjeve, martesave dhe vdekjeve.

Ngjashëm me planin e mbështetur prej OJQ-ve, të anketuarit do të verifikonin informacionet e tyre nëpërmjet skenimit të shenjave të gishtërinjëve. Lajmërimi i Gruevskit erdhi si befasi, edhe brenda koalicionit udhëheqës; përfaqësuesit e DUI, homologë shqiptar të VMRO-DPMNE, thanë se idea e administrimit të një regjistrimi të ri të përgjithshëm nuk ishte diskutuar asnjëherë, e prandaj as nuk ishte arritur një marrëveshje e tillë.

Politika të tilla nuk janë të reja për Maqedoninë. Në 2011, një përpjekje për të mbajtur regjistrim të përgjithshëm dështoi për shkak të pamundësisë së po atij koalicioni për të arritur marrëveshje mbi përbërjen etnike të të anketuarve në regjistrim, ose mbi përfshirjen e qytetarëve që kanë jetuar jashtë vendit për më shumë se 12 muaj. Prandaj ajo që duhej të ishte operacion statistik u korruptua nëpërmjet një rrëfenje subjektive etnike.

Marrëveshja e Strukturës së Ohrit në 2001 i bënë të drejtat e mëdha të bazuara në etni të kushtëzuara mbi faktin se një komunitet etnik duhet të përbëjë të paktën 20 përqind të popullsisë së plotë të vendit. Në bllokun maqedon, shumë dyshuan se shqiptarët etnik përbëjnë më pak se 25.7 përqind të popullsisë që ishte regjistruar në regjistrimin e përgjithshëm të vitit 2002, ndërsa blloku shqiptar parapëlqente fryerjen e numrit të popullsisë së tij duke përfshirë njerëz prej diasporës që nuk ishin kthyer në vend qe disa vite. Metodologjia Eurostat që u aplikua në atë kohë nuk i numëroi qytetarët që kishin jetuar jashtë vendit për më shumë se 12 muaj. Prandaj masat mbrojtëse numerike të pakicave në Kushtetutë dhanë të gjitha nxitjet e gabueshme që grupet etnike të maksimizojnë ose minimizojnë numrat e tyre, sipas agjendës së atyre që i interpretuan; marrëdhëniet e nxehta brenda qeverisë së koalicionit të zorshëm dhe jofunksional shqiptaro-maqedon përfundimisht i dhanë fund operacionit të përpjekur për regjistrim të popullsisë në 2011.

Përpjekja e dështuar kushtoi 14 milion euro dhe deri sot askush nuk është përgjigjur për këtë dështim. Në këtë kontekst, nuk është çudi që pak njerëz po e marrin seriozisht nismën e fundit për regjistrim të përgjithshëm, tani herën e dytë. Në një deklaratë të përbashkët, 46 OJQ të vendit shprehën dyshimet e tyre për ligjshmërinë dhe besueshmërinë e qeverisë aktuale për të administruar regjistrim të ri pasi që nuk kishte pasur përgatitje në tri vitet e fundit; ata thanë se nisma ishte përpjekje për të sabotuar zbatimin e Marrëveshjes së 15 korrikut. Për më tepër, shumë kanë shprehur shqetësimet e tyre se është thjeshtë e pamundshme të mblidhen të gjitha të dhënat e duhura në mënyrë elektronike. Kjo veçanërisht për shkak të afatit të limituar kohor para zgjedhjeve të ardhshme, për shkak të faktit se pajisjet e duhura ende nuk janë siguruar dhe për shkak të mungesës shumë të qartë të konsensusit brenda koalicionit qeverisës.

Maqedonia dëshpërimisht ka nevojë të administrojë një regjistrim të ri të popullsisë, një që do t’u siguronte politikëbërësve të dhënat e duhura për politika afatgjate dhe afatmesme. Kjo është edhe më e rëndësishme kur e dimë se ka shumë gjasa se struktura e popullsisë ka ndryshuar shumë që prej regjistrimit të fundit. World Bank vlerëson se 447,000 njerëz kanë ikur prej vendit në dekadën e fundit dhe raportet e Eurostat tregojnë se 230,000 qytetarë maqedon kanë rregulluar statusin e banimit në BE prej 1998 dhe 2011.

Megjithatë, administrimi i një regjistrimi të përgjithshëm është operacion që është tepër i rëndësishëm dhe i shtrenjtë për t’u kryer me ngut, ose në proces me ligjshmëri të dyshimtë. Për më tepër, përvoja e vitit 2011 duhet të na mësojë se rrëfenja etnike e operacionit, e diktuar prej aktorëve të njejtë si sot, me shumë gjasë do të prodhojë rezultat të ngjashëm dhe do t’i sfidojë marrëdhëniet e brishta ndëretnike. Në këtë kontekst të krizës aktuale politike, kjo mund të kushtojë shumë.

Në vënd të kësaj, përparësi duhet t’i ipet një zgjidhjeje efikase, sa i përket kohës dhe çmimit, një që do të siguronte regjistër të rifreskuar të votuesve dhe masa mbrojtëse kundër mashtrimeve zgjedhore në kohën e zgjedhjeve të 2016; ky votim do të jetë më i rëndësishmi i Maqedonisë që prej vitit 1991, kur ky shtet deklaroi pavarësinë. Sot, regjistrimi i votuesve aktiv – që do të lejonte qytetarët të diktojnë procesin dhe do t’u mundësonte regjistrim sa më të lehtë, duke përfshirë atë nëpërmjet internetit – është hapi më i zbatueshëm drejt sigurimit të një regjistri të shëndoshë të votuesve. Nevojitet edhe aplikimi i masave mbrojtëse që do të parandalonin hyrje të dyfishta duke i lidhur me bazën qendrore të të dhënave, dhe do të siguronte që votuesit kanë poseduar dokumente të vlefshme të banimit për më shumë se 12 muaj. Nëpërmjet këtij procesi, politikëbërësit duhet të jenë të kujdesshëm që të mos i shfuqizojnë votuesit nga e drejta për të votuar, por në vend të kësaj të sigurojnë një fushë të drejtë të lojës. Vetëm duke i arritur këto baza themelore demokratike do të jetë e sigurt se zëri i të gjithëve do të dëgjohet dhe vlerësohet në mënyrë të barabartë në zgjedhjet e ardhshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button