A harrohet Kumanova pas aksionit të fundit policor?

Në “Lagjen e Trimave” në komunën e Kumanovës, gjatë aksionit policor për zmbrapsjen e grupit të armatosur humbën jetën 22 persona, prej tyre 8 policë, si dhe mbi 30 policë të tjerë u plagosën. Nuk ka ende deklaratë zyrtare nga Gjykata e Shkupit se të dënuarit dyshohen për akuzën ‘Rrezikim terrorist të rendit dhe sigurisë’ apo ndonjë prapavijë tjetër politike. Ajo që është e rëndësishme dhe me interes për opinionin, aludohet se Kumanova, konkretisht familjet e prekura nga dëmet e aksionit, janë lënë anash nga qeveria e Maqedonisë.

Për të vërtetuar këtë, Telegrafi ka siguruar informacione nga deputet të zonës numër dy dhe qytetarë të Kumanovës.
Abedin Zymberi, njëherit ish deputet i PDSH-se dhe DR-së, thotë se qeveria luan me ndjenjat e banorëve të ‘lagjes së trimave’ dhe vlerësimi i dëmeve nuk ka qenë real. ‘Rasti i Kumanovës la pas veti gërmadha të shtëpive, trauma dhe vrasje, deri më sot asgjë më shumë.

Më tej Zymberi shton: ‘Sikur mjetet tu ndaheshin familjeve, ky muhabet do të mbylleshte shumë shpejt, e jo tërë kohën, ose me muaj e me vite të zgjatë rindërtimi dhe kompenzimi i dëmeve. Keqpërdorim do ketë shumë dhe fundi do të jetë sikur pas luftës së 2001 ku u vodh me të madhe nga rindërtimi i shtëpive.

Por nga ana tjetër Kaltrina Azizi, deputete e zonës numër dy, deklarohet pë Telegrafin se Kumanova nuk është anashkaluar asnjëherë dhe se kontributi i qeverisë është treguesi më i mirë për angazhimin e tyre që ka qenë maksimal.’Me përgjegjesinë më të madhe e them se Kumanova nuk ka qenë asnjëher e anashkaluar dhe aq më pak e harruar, përgjatë gjithë atij aksioni policorë, para dhe pas të njejtit. Nëse duam ta shohim dhe pohojmë të vërtetën mund të themi gjithashtu që kontributi i qeverisë, me organet apo komisionet që formoi pas janë treguesi më i mirë se angazhimi i ynë si subjekt në qeveri ka qenë maksimal në kthimin e dinjitetit, rehabilitimin dhe kompenzimin e gjithë atij dëmi material që ka qenë i shkaktuar.

‘’Ndërsa sa i përket kompenzimeve dhe shpërblimit të dëmeve , ashtu siç edhe ishte premtuar gjeneralisht është vlerësuar dhe realizuar në tërësi. Nga bisedat me qytetarët e prekur kam informacione se diku deri para një muaji më së voni mjetet kanë qenë në dispozicion të qytetarëve brenda vlerës 100% të kompenzimit të dëmit. Nuk e përjashtoj edhe faktin e ndonjë pakënaqësie eventuale, megjithatë përpjekjet tona shkojnë deri aty që ankesat e bazuara dhe reale të mundohemi ti rishqyrtojmë dhe vlerësojmë drejtë, gjithmonë në të mirë të qytetarëve, thotë deputetja Azizi.

Telegrafi për të qenë më objektiv ka tentuar që të komunikojë edhe me qytetarë të Kumanovës. Këtë herë kumanovari Xhenis Sulimani shprehet për Telegrafin se pushteti vazhdon me praktikën e saj të njohur, shumë fjalë e punë pak. ‘Pushteti po vazhdon me praktikën e saj tashmë të njohur, fjalë shumë e punë pak. Ata premtuan se do t’iu ndihmojnë familjeve që pësuan dëme materiale nga “rasti i Kumanovës”, por që realisht jo gjithë familjet kanë pranuar ndihmë nga institucionet përkatëse. Në media janë prononcuar edhe familje që nuk janë të kënaqura edhe me aq sa ka ndihmuar qeveria. Por, edhe një numër i konsiderueshëm, që janë prekur nga incidenti dhe ende asnjë denar plus nuk e kanë marrë.’’

Sulimani thotë se përgjegjësinë duhet ta kërkojnë edhe vet banorët dhe të jenë më të zëshëm karshi qeverisë. ‘Mendoj që vet banorët e’ lagjes së trimave’ – Kumanovë, duhet të jenë më të zëshëm dhe nuk duhet të heshtin kundër papërgjegjësisë së qeverisë për këtë rast. Ata duhet të kërkojnë deri në fund të paguhet çdo dëm. Heshtja e tyre do të ndihmonte në rritjen e papërgjegjësisë institucionale.

Lajme të ngjashme

Back to top button