Thaçi President, vetëm në një mënyrë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili pritet që në prill të vitit 2016, të bëhet president i vendit, këtë post mund ta arrijë vetëm nëse merr votat e mjaftueshme në Kuvend.
Kjo pasi mundësia e dytë e përfolur e zgjedhjes së presidentit, ajo përmes votave të qytetarëve, sipas njohësve të këtyre proceseve momentalisht është e pamundur.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka vlerësuar se nuk ka kohë të mjaftueshme që për këtë mandat të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore për të krijuar për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.

Në një prononcim për lajmi.net, Krasniqi ka thënë se përkundër që Komisioni për ndryshimet Kushtetuese ka përgatitur draft-ligjin dhe ka proceduar amendamentet e tij, sipas tij, duhet që edhe legjislacioni sekondar ti bëjë ndryshimet në pajtim me këto amendamente.
“Për zgjedhjet e ardhshme të Presidentit nuk ka kohë të mjaftueshme për me u ndryshuar mënyra e zgjedhjes”.

“Edhe pse Komisioni për ndryshimet Kushtetuese e ka përgatitur draft ligjin, janë proceduar amendamentet kushtetuese, Gjykata Kushtetuese ka dhënë mendim për ato amendament, mirëpo për me hyrë në fuqi këto amendamente duhet që legjislacioni sekondarë tu përshtatet këtyre ndryshimeve”, ka thënë Krasniqi.

Ai për lajmi.net ka treguar se draft-ligji parasheh që fushata për president të hapet në tetor dhe, se për këtë legjislatura nuk ka kohë.
“Edhe draft-ligji e parasheh që në tetor duhet veç me u shpall zgjedhjet presidenciale, për me u regjistruar kandidatët dhe me u zhvillu fushata zgjedhore. Për këtë legjislatura nuk ka kohë të mjaftueshme ”, ka deklaruar Krasniqi.

Përfaqësuesi i KDI-së ka treguar se, nga një hulumtim që kanë bërë, disponimi i qytetarëve është që presidenti të zgjidhet me votat e tyre. Krasniqi ka thënë e një president i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli do të krijonte stabilitet në qeveri.

Ndryshe sa i përket zgjedhjes së Thaçit si president, zyrtarë të PDK-së janë shprehur se kjo do të ndodhë në vitin 2016, nga votat në Kuvend, apo qytetarëve.

Edhe kryeministri, Isa Mustafa, ka thënë se marrëveshja politike mes PDK-së dhe LDK-së, e cila parasheh që në prill të vitit të ardhshëm Thaçi të bëhet president, do të respektohet.

Lajme të ngjashme

Back to top button