Bosch: Specialja është në interes të liderëve politikë, që emrat të pastrohen

Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Robert Bosch thotë se është në interes të liderëve politikë në Kosovë që Gjykata Speciale t’i pastrojë emrat e tyre.

Holandezi që shpesh është parë duke mbushur gropat e kryeqytetit me rërë, thotë për Gazetën Fjala se ende nuk dihet se kush janë të akuzuarit, të cilët do të gjykohen në Gjykatën Speciale, e as nuk është vendosur nëse përfundimisht selia e saj do të jetë në Holandë.

Për këtë po zhvillohen bisedime me shtetin e tij, ndërsa Bosch vlerëson se deputetët kanë vepruar mirë që i kanë thënë po krijimit të saj.

“Ne nuk e dimë kush do të akuzohet, por në qoftë se janë të pafajshëm, emrat e tyre do të pastrohen përgjithmonë”, thotë diplomati holandez.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet edhe më tej në luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e një ambienti të sigurt për investimet e huaja. Këtë, ai thotë se Qeveria nuk po e bën sa duhet.

I pari i Ambasadës holandeze thotë se kontributi i tij kryesor në Kosovë ka qenë angazhimi për të promovuar sundimin e ligjit në këtë vend, “të drejtat e grave dhe të drejtat e LGBT, për të përmirësuar mjedisin dhe tërheqjen e investimeve për të krijuar vende pune këtu, si dhe të punojë në lirinë e medias dhe zgjedhjeve të lira, e cila është në zemrën time si ish-ambasadori i OSBE-së”.

Ai nuk tregon nëse për shkak të pakënaqësisë me qeverisjen lokale në Prishtinë, ka marrë vetiniciativë për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, siç edhe është parë disa herë.

Por, Bosch flet për Lëvizjen Vetëvendosje, me përfaqësuesit e së cilës parti është parë t’i ketë ngritur tensionet shpesh.

“Kjo është një parti relativisht e re e cila ka sjellë shumë vrull të ri në vend. Unë kam pasur marrëdhënie gjithmonë të përzemërt me ta, natyrisht pa pasur nevojë të dakordohem me ta në çdo gjë”, thotë Bosch.

Ai dëshiron të mbahet mend në Kosovë si ambasadori që ka dhënë kontribut në përmirësimin e ajrit dhe uljen e ndotjes në vend, si dhe avancimin e të drejtave të LGBT-ve.

“Qëkur jam këtu, edhe falë Holandës dhe Bankës Botërore, ndotja e ajrit në Prishtinë ka rënë në mënyrë të konsiderueshme, për çfarë unë dua të mbahet mend. Siç thash, është shënuar përparimi në të drejtat e grave dhe të drejtat e LGBT-së. Lidhjet rrugore janë më të mira, por hekurudha nuk duhet të harrohet”, porositë Bosch duke vlerësuar mikpritjen dhe miqësinë kosovare.

Lajme të ngjashme

Back to top button