Reflektim mbi figurën e Arbrit!

Çdo vit që kalon, në çdo krizë apo rrethanë që kërkon artikulim politik të problemit dhe strategji dalëse, por edhe në ligjërimin e përditshëm politik, vërehet mungesa e Arbër Xhaferit liderit emblematik të shqiptarëve të Maqedonisë, filozofit dhe inovatorit të skenës politike në vend, atij që përdorte forcën e argumentit e jo argumentin e forcës, atij që promovoi imazhin e politikanit filozof, gjuhën e pastër dhe fjalorin e pasur, qetësinë në ligjerimin politik dhe ftohtësinë e nevojshme në negocijimin e interesave kombëtare. Politikan që ka fascinuar çdo diplomat të huaj, i cili e kishte shumë rëndë të fascinojë masën e vetë me idetë dhe vizionin e tij politik.

Për figurën e Arbër Xhaferit duhet të shkruaj akademija, universitete e institutet, mirëpo, në këtë përvjetor, le të reflektojmë mbi figurën e tij, vokacionin dhe ligjerimin politik; mbi fjalorin dhe mekanizmat që ai i propozonte këtij vendi për të funksionuar. Le të reflekojme mbi qëndrimet e tij politike për zhvillimet politike në vend dhe regjion, mbi imazhin e “shqiptarit të Maqedonisë” që promovonte në trojet etnike. Çdo tentim për të lokalizuar veprën e tij do ishte padrejtësi për figurën e tij dhe për trashigiminë kulturore e historike të shqiptarëve, sepse Arbri edhe pse vepronte në Tetovë-Maqedoni idetë dhe vizioni i tij ishte prezent gjithëandej, në Tiranë e Prishtinë, ishin prezent nga nevoja e vendeve për vizion afatgjatë, për strategji të mirëfilltë dhe për njohuritë që posedonte Xhaferi. Andaj z.Xhferi njihet si vlerë mbarëkombëtare. Mirëpo e vendos stigmen “shqiptar i Maqedonisë” pasiqë ai ishte nga Tetova e historia ja dha për hise të veproj në Maqedoni dhe në rrethana shumë të disfavorshme të ishte shembull i denjë i një shqiptari që duhet marrë për model gjithëandej.

Arbër Xhaferi ishte një Monstrum politicus, me të drejtë konstaton bashkëpuntorja e tij zonja Adelina Marku. Ishte i pashoq, inovativ dhe elokuent; në Maqedoni ishte i pari që filloi zbatimin e filozofisë politike në praktikë. Kishte saktësi të jashtëzakonshme në përdorimin e termeve politike-juridike. Nga z. Xhaferi për së pari herë në Maqedoni kemi dëgjuar shprehjet: “vokabular politik”, “demokraci kon- sociale”, “ndërtim i shtetit multi-etnik”, diferencimin në mes shoqërisë multi-etnike dhe shtetit multi-etnik, etj, etj,.

Zotri Xhaferi u shfaq në një kohë kur fatkeqsisht pjesa dërmuese e shoqërsië nuk e kuptonte sa duhet fjalorin e tij politik, kur nacionalizmi i maqedonasve ishte në zenit (si nënshtetat të shtetit të ri) dhe shpesh herë idetë e tij u merrnin me rezervë dhe u refuzoheshin, pa marrë parasysh se më vonë po të njejtët ekspertë maqedonas, doktor profesorë të fakultetit juridik do të dilnin me qëndrime të njejta. Që nga fillimi, ai do të deklarohet se: “PDSH e ka zgjedhur rrugën e saj, ajo është autostradë” (nga maqedonishtja: “ДПА го одбра својот пат, тој стана автопат”)” ose “ne zgjodhëm të vrapojmë maratonë, ndërsa dikush na tejkaloi me sprint”, fakt që dëshmon se ai kishte vizion për ndërtimin e shqiptarisë në staza të gjata dhe të sigurta pa improvizime, por me strategji afatgjate.

Fliste për përgjegjsinë politike dhe për moralin politik. Për një gazëtë të huaj do të deklarojë “Politika ka përgjegjësi. Përgjegjësi për gjithë shoqërinë. Në rast se mjeku do të shënojë diagnozë dhe terapi të gabuar, ai do ta dëmtojë vetëm pacientin, ndërsa gabimet e politikanit reflektohen në pasojat që e gjithë shoqëria duhet ti bartë…“Ata që me plot gojë thonë se morali nuk ka vend në politikë, megjithatë, në luftën për pushtet, shërbehen me teknikën e diskualifikimit moral të kundërshtarit…Kjo përtharje e ndjeshmërisë morale bëhet pastaj arma e fuqishme e mbijetesës politike të atyre që në vend të platformës ofrojnë katalogun e veseve të oponentit”.  Në kohën e shpalljes së Deklaratës së Pavarsisë së Republikës së Kovosës, do të deklarojë: Deklaratën e pavarsisë duhet shikuar jo si çelës magjik që do ti zgjidh të gjitha telashet e qytetareve, por si lejekalim (password) në dimensionin e ri që do të kërkojë njerës me botëkuptime të reja, me moral të ri, me përkushtim, me kapacitete shtetëformuese. Ishte dhe mbetet politikani më atraktiv në viset shqiptare, andaj na mungon pa masë!

Ndaja mendimin, se ndoshta historia na solli Arbën Xhaferin para kohe, na gjeti të papërgaditur, mirëpo gjykuar nga perspektiva e zhvillimeve aktuale, dyshoj se edhe sot do ta vlerësonim sa duhet figurën e Arbrit. Edhe pse post mortem dijmë të vlerësojmë njerzit qoftë edhe deklarativisht, në praktikë vlerat shumë pak vlerësohen. Si vlerë kombëtare, Arbër Xhaferi, mbase kreu misionin e tij historik. Fillimisht promovoi imazhin e një politikani model, karizmatik dhe me njohuri të thella, imazh i cili me vonë do ta ndihmote në artikulimin e kërkesave të shqiptarëve në kohën kur më së shumti patën nevojë për vizionin e tij, që nga luftërat në Kosovë e Maqedoni deri në sëndërtimin e dy shteteve shqiptare në Ballkan.

Lajme të ngjashme

Back to top button