Molliqaj: Asociacioni vjen si trashëgim i politikave të Millosheviqit

Dardan Molliqaj, sekretar organizativ në Lëvizjen Vetëvendosje ka thënë se VV-ja nuk mund ta pranojë themelimin e asociacionit të komunave, pasi sipas tij, kjo nënkupton lejimin e futjes së Serbisë në Kosovë.

Këto deklarata, Molliqaj i bëri pas atyre të Vuçiqit e Stojanoviqit.

“Deklaratat e djeshme të Vuçiq-it dhe Stojanoviq-it, vetëm sa e konfirmuan faktin që kundërshtimi i pakompromis që do t’ia bëjë Lëvizja VETËVENDOSJE! themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është i drejtë dhe në funksion të mbrojtjes së shtetit të Kosovës.
Ne nuk do ta lejojmë në asnjë mënyrë themelimin e këtij asociacioni, ngase ai nënkupton defunksionalizimin e shtetit tonë si dhe futjen e mëtutjeshme të Serbisë në Kosovë. Fakti që Vuçiq dhe Stojanoviq reaguan në mbrojtje të asociacionit, tregon që ky projekt është interes i politikës ekspansioniste fashiste të qeverisë së Serbisë e cila, dihet botërisht që është trashëgimtare e politikave të Millosheviqit”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka thënë se kundërshtimi i formimit të asociacionit të komunave nuk ëshë drejtuar ndaj minoriteteve serbe. Madje, siç ka thënë Molliqaj, Kosova duhet të forcohet si shtet dhe të respektoje të drejtat dhe liritë e minoriteteve.

“Shteti i Kosovës, sipas Lëvizjes VETËVENDOSJE! duhet të jetë unik dhe funksional në secilin cep të territorit të vet. Ky shtet duhet të respektojë plotësisht të drejtat dhe liritë e minoriteteve. Sigurisht që për ne është i papranueshëm ekspansioni i Serbisë brenda Kosovës por kundërshtimi ynë asnjëherë nuk është drejtuar ndaj minoritetit serb”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button