Shkarkohet “grupi i zjarrit të 21 Janarit”, mes tyre dhe gruaja e Ndrea Prendit

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka firmosur ditën e djeshme shkarkimin e 14 efektivëve të Gardës së Republikës. Pjesë e listës janë edhe katër pjesëtarët e grupi të zjarrit, pseudonim i vendosur pas protestës së 21 Janarit, ku humbën jetën katër persona.

Emrat janë sugjeruar nga komandanti i Gardës Gramoz Sako dhe më pas aprovuar nga ministri Tahiri, ndërsa ka nisur puna për verifikimin e procedurave sesi disa oficerë të këtij institucioni kanë arritur të përfitojnë grada pas procesit zgjedhor të 23 qershorit. Kjo listë nuk do të jetë e fundit, pasi pritet edhe propozimi i shkarkimit për 18 efektivë te tjerë, që nuk janë paraqitur në detyrë, duke shkelur haptazi ligjin për funksionimin e Gardës së Republikës.

Fshesa e parë në Gardë përfshin emra të lakuar në protestën e 21 Janarit, si anëtarët e grupit të zjarrit, të cilët fillimisht dolën para gjykatës me akuzën e vrasjes, por në fund i vetmi fajtor mbeti Agim Llupo. Në listë janë edhe emrat e dy prej dëshmitarëve të thirrur gjatë procesit gjyqësor, ku njëri prej tyre, Agron Malaj, pohoi hapjen e zjarrit. Ky është një ndër hapat e parë në reformën e Gardës, e cila ka nisur tashmë që prej muajit shtator. Ndërkohë që vetë ministri Tahiri deklaroi në atë kohë se nuk do të vonojë drejtësia për të implikuarit në vrasjet e 21 Janarit.

Emrat e anëtarëve të grupit të zjarrit, nën akuzë për vrasjet e protestuesve me 21 Janar, janë të parët të shkarkuar dhe liruar nga detyra. Agim Llupo, i cili akuzohej për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës u shpall fajtor nga Gjykata e Apelit vetëm për vrasjen nga pakujdesia, duke u dënuar me 3 vjet burgim. Ndërsa në lidhje me tre anëtarët e tjerë të grupit të zjarrit Sadik Çelaj, Gazmend Ahmetaj dhe Mark Nikolli, gjykata i liroi nga akuza në mars të 2011, duke u ndryshuar masën e sigurisë. I përjashtuar nga detyra është edhe oficeri Fatos Skeja, i cili kohët e fundit ishte me pozicion pranë njësive speciale. Skeja njihet si shoqërues i familjes së ish-Kryeministrit Berisha, ndërsa para pak javësh emri i tij u lakua si person që u mor në pyetje në lidhje me një gjobëvënie.

Është liruar e përjashtuar edhe ishshoqëruesi i ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ilir Duraku, i cili është thirrur në cilësinë e dëshmitarit në gjyqin e 21 Janarit. Në dëshminë e tij ai ka treguar se Prendi nuk kishte pranuar të shkonte për të mjekuar në spital plagët që mori nga goditjet e protestuesve në 21 janar 2011. Është shkarkuar nga detyra edhe ish-komandanti i njësisë speciale Agron Malaj, i cili dëshmoi në gjyq se ditën e protestës ishte hapur zjarr, por kjo duke u bazuar në ligjin për armët.

Është liruar nga detyra edhe nënkapitene Marjana Prendi, bashkëshortja e ish-komandantit të Gardës së Republikës Ndrea Prendi. Marjana ka qenë në këtë pozicion në varësi të bashkëshortit të saj. Sipas burimeve bëhet me dije se shkarkimi dhe lirimi nga detyra është bërë, pasi këta persona kanë udhëtuar jashtë shtetit pa lejen e ministrit, duke shkelur kështu rregulloren për efektivët e Gardës. Ndërkohë ka paraqitur dorëheqjen nga detyra, Drejtori i Ruajtjes së Personaliteteve në Gardë Bashkim Boletini.

Në fund të muajit shtator ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi se brenda 100 ditëve do të mbyllet procesi i reformimit në këtë institucion, që pritet të mos jetë më nën varësi të Ministrisë së Brendshme, por të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Pas 21 janarit, Garda e Republikës u përfshi në debate dhe akuza të forta politike për vrasjen e katër protestuesve, por edhe në një konflikt jo vetëm me ish-opozitën dhe institucionet e tjera të shtetit, si edhe prokurorinë. Kjo e fundit e akuzoi Gardën e Republikës për pengesa në hetimin e 21 Janarit, ndërkohë që opozita e asokohe deklaroi se ishte një instrument politik i pushtetit. Në krye të Gardës në 27 shtator u komandua përkohësisht Gramoz Sako.

Ministri Tahiri firmos përjashtimin dhe lirimin nga detyra të 14 efektivëve, përfshirë këtu Fatos Skejën dhe bashkëshorten e Prendit.(Shekulli)

Lajme të ngjashme

Back to top button