BFI: Nuk mbajmë përgjegjësi për veprat e individëve në jetën e tyre private

Bashkësia Islame ka reaguar ndaj aksionit  policor, duke shprehur shqetësimin e saj për shkak të pretekstit të këtij aksioni, që ndërlidhet me të ashtuquajturën ISIS. Në reagimin e Bashkësisë Islame thuhet se që në fillimit e krijimit të këtij fenomeni, ky institucion ka pasur qëndrim të qartë dhe të prerë, se ISIS nuk e përfaqëson Islamin.

“Që në fillim të luftërave në Irak dhe Siri, Bashkësia Islame i ka bërë me dije opinionit të gjerë se këto luftëra janë të pakuptimta dhe të huaja për ne, andaj BI është kundër çdo bashkëngjitje në këto luftëra. Ndërsa për sa i përket aksionit “Qelia”, Bashkësia Islame nuk është institucion ndjekës apo hetues, dhe si institucion nuk mban përgjegjësi për veprat e askujt se me çka merret në jetën private, por nga organet e drejtësisë, kërkojmë transparencë dhe drejtësi, si dhe respektimin e të drejtave njerëzore dhe prezumimin e pafajësisë, deri në momentin kur ndaj dikujt vërtetohet fajësia”, thuhet mes tjerash në reagimin e BFI-së.

Për Bashkësinë Islame më e padëshirueshme është nëse konstatohet se brenda institucionit ka elemente të tilla, por nga BFI thonë se deri atëherë do ta respektojnë prezumimin e pafajësisë, duke theksuar se janë të pa kompromis kur është në pyetje dhuna.

“Ne e dënojmë dhunën e të gjitha formave dhe jemi kundër çdo lloj dhune apo ekstremizmi. Në radhët tona terrorizmi asnjëherë nuk ka qenë i mirëseardhur, sepse vlerësojmë se terrorizmi është kulminacion i kriminalitetit, aq më tepër kur ai bëhet në emër të fesë. Si i tillë për ne gjithmonë do të jetë i trajtuar si “Murtraja e zezë”, thuhet në reagimin e Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë, ku gjithashtu bëhet thirrje për funksionimin e shtetit juridik, që të punojë në çrrënjosjen e ekstremizmit dhe dhunës. Në reagim gjithashtu u bëhet thirrje gjitha subjekteve ndërkombëtare dhe asociacioneve të ndryshme që veprojnë në këtë drejtim, që ta llogarisin BFI-në si aleat të mirëfilltë në këtë punë urgjente.

Lajme të ngjashme

Back to top button