Greqia kërkon 500 milionë euro kursime

“Kathimerini” ka cituar burime nga qeveria e Greqisë, të cilat kanë bërë të ditur se, në samitin e krerëve të Bashkimit Europian në Bruksel është theksuar që, shteti helen nuk do të ketë nevojë për më shumë se 500 milionë euro kursime për vitin e ardhshëm dhe të gjitha këto do të vijnë nga rregullimet strukturore, e jo nga masat e shtrëngimit.

E përditshmja greke tha se, kryeministri grek, Antonis Samaras nuk ka komentuar mbi çështjet ekonomike gjatë konferencës, por është përqendruar mbi problemet e emigracionit dhe me ato që përballen vendet e Europës Jugore. “Kathimerini” ka bërë të ditur se, zyrtarët qeveritarë, gjithsesi nuk mund të injorojnë çështen e shkurtimit të shpenzimeve që nevojiten për vitin e ardhshëm, sidomos pasi kancelarja gjermane, Angela Merkel ka konfirmuar se ka refuzuar të diskutojë për detajet mbi programin e Greqisë me kryeministrin Samaras, gjatë takimit të tyre të shkurtër në ditën e Enjte.

Merkel u është përgjigjur gazetarëve, duke thënë se ka zhvilluar vetëm një takim pesë minutësh me kreun e ekzekutivit të Greqisë, por nuk është diskutuar për detajet e programit të masave të shtrëngimit. Ajo ka konfirmuar gjithashtu se, Gjermania nuk ndryshon pozicionin e saj. Kathimerini ka cituar burime të qeverisë greke, të cilat kanë bërë të ditur se, nuk ka një konflikt apo dramë në diskutimet me Trojkën dhe se, Greqisë nuk do t’i duhen 2 miliardë euro masa të reja për vitin e ardhshëm, për shkak të dyshimit të huadhënësve, që të ardhurat të prekin objektivat.

Ministria e Punës pritet që, në ditën e Martë të paraqesë një propozim në parlament, për disa rregullime për pensionet shtesë, me synim identifikimin e mashtrimeve dhe humbjeve të tjera. Burimet e “Kathimerini” kanë bërë të ditur se nuk do të ketë shkurtime të pensioneve të zakonshme. 

Lajme të ngjashme

Back to top button