Kosovë: mbi 7 mijë aksidente trafiku!

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në Kosovë, kanë ndodhur mbi 7 mijë aksidente, prej tyre 41 aksidente trafiku me fatalitet me 46 persona të vdekur, raporton REL.

Shkak i aksidenteve, kryesisht ka qenë mosrespektimi i rregullave të trafikut nga vozitësit e automjeteve, respektivisht tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës ndërmjet automjeteve, gjendja e automjeteve dhe kushtet e rrugës.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, aksidentet në komunikacion kanë shënuar rënie, por që sipas Policisë së Kosovës edhe këto shifra janë shqetësuese.

“Një nga objektivat e parapara nga Policia e Kosovës, është edhe reduktimi i aksidenteve në komunikacionin rrugor, veçanërisht reduktimi i aksidenteve me fatalitet dhe ky objektiv sipas statistikave që ne kemi shkon kah realizimi në aspektin pozitiv (në vitin 2014 gjashtëmujorin e parë kemi pasur 53 aksidente fatale me 63 persona të vdekur ndërsa ne vitin 2015, periudha e njëjtë kemi pasur 41 aksidente trafiku me fatalitet me 46 persona të vdekur- pra zvogëlim te rasteve të tilla)”, ka bërë të ditur Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës.

Zyrtarët e Policës së Kosovës, deklaruan se brenda kësaj periudhe kanë shqiptuar mbi 150 mijë gjoba në trafik. Ndërkohë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve të trafikut, policia po ushtron kontrolle të vazhdueshme.

Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës theksojnë se gjendja në komunikacion është tejet e ngarkuar dhe se vozitësit në Kosovë nuk respektojnë shenjat e trafikut.

Zana Gashi, qytetare nga Prishtina, gjendjen në komunikacion e vlerëson si kaotike. Ndërsa më të rrezikuar ndjehen fëmijët.

“Vozisin shumë shpejt, nuk ndihem e sigurt, asnjëherë nuk guxoj ta kalojë rrugën e vetme pa përcjelljen e prindërve”, tha Noela Selishta, nxënëse e klasës së dytë në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë./ Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button