Bit Pazari 5 ditë pa ujë, reagojnë nga Oda e tregtarëve

Oda e tregtarëve të Maqedonisë ka reaguar ndaj ndërprerjes së ujit për 5 ditë me radhë në 12 tregjet e gjelbra te “Skopsi Pazarit”, transmeton Alsat M.

Vetëm dy tregje shpëtuan nga kjo masë e ndërprerjes, ai i Bit Pazarit dhe Tregu i Gjelbër. Sipas kryetarit të Odës së tregtarëve, Ekrem Dolek ndërprerja ka ardhur si rezultat i mos pagesës së borxhit mujor që “Skopski Pazar” kishte ndaj ndërmarrjes publike “Ujësjellës-Kanalizime”. Dolek tha se ndërprerja e ujit mund të sillte pasoja të mëdha në prodhimet që shiten në treg, duke vënë në rrezik edhe shëndetin e blerësve. Ai madje shtoi se ekzistonin mënyra të ndryshme për të qëruar hesapet mes vete këto dy institucione, dhe jo ndërprerja e ujit.

“Shkyçja është bë për shkak se Skopski Pazari nuk e paska paguar një faturë mujore. Në vendet ku u bë shkyçja e ujit bëhet fjalë për diku 2 mijë persona të cilët e kryejnë veprimtarinë e vete nëpër tregjet e gjelbra duke përfshirë edhe dyqanet të cilat shesin prodhime jashtëzakonisht të rrezikshme siç është mishi, suxhuku, prodhimet e qumështit por edhe të pemëve dhe perimeve që shiten nëpër tezga dhe që kanë nevojë brenda ditës rregullisht të freskohen, të spërkaten me ujë me qëllim të ruhet cilësia dhe kualiteti dhe e gjithë kjo me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve”, deklaroi Ekrem Dolek, kryetar i Odës së Tregtarëve.

Dolek thekson se drejtuesit e Skopski Pazar me Ujësjellës Kanalizime kanë probleme mes tyre, por një gjë e tillë nuk mund të nxirret në kurriz të qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button