Shqetësuese, gjuha shqipe po humbet te mërgimtarët shqiptarë

I nxehti përvëlues veror si çdo vit tjetër erdhi bashkë me mërgimtarët në Maqedoni, të cilët duan t’i kalojnë pushimet në vendlindje. Mirëpo, gjithnjë e më shumë vërehet përdorimi i gjuhëve të huaja, respektivisht fjalëve nga gjuhë të huaja edhe kur ata flasin shqip. Kjo dukuri, sipas ekspertëve që kontaktoi Portalb, paraqet shqetësim serioz. Çdo shkak për këtë është i pranueshëm, por jo dhe arsyetues, andaj ekspertët porosisin që mërgimtarët ta ruajnë me krenari të pastër shqipen dhe kështu të parandalojnë asimilimin e tyre modern.

“Tërë ditën në punë flas e shkruaj gjermanisht, më ajo gjuhë më është bë si gjuhë amë. Në shtëpi flasim shqip, por ndonjëherë me vëllezërit na duket më lehtë gjermanisht, vëllau i vogël shpesh më pyet ‘Si i thonë shqip kësaj e kësaj?’. Mirëpo që kur jemi kthyer këtu flasim vetëm shqip. Ndonjëherë mendoj gjermanisht, por rrallë më ndodh të them ndonjë fjalë gjermane derisa flas shqip.”- deklaroi Zarife Salihu, mërgimtare në Lucern.

Egzona Ajdini, që jeton në Biel/Bienne tha: “Kur vij në pushim për 2 javë a 3 në Kumanovë, automatikisht adaptohem sërish të flas vetëm shqip.Por vështirë kur e din që tërë vitin e kaloj duke folur një tjetër gjuhë. Pra nuk e kam qëllimin që para tjerëve të tregohem, se e di një tjetër gjuhë, kështuqë edhepse ndonjëherë foli frengjisht para të tjerëve, mundohem që menjëherë t’ua përkthej shqip, që të mos ofendohen apo mos të ndjehen keq.”

“Është fakt që sociolektet (të folmet) e mërgimtarëve shqiptarë nga dita në ditë po vërshohen e përmbyten me theks, shqiptim, fjalë dhe struktura të huaja, bile krijohet një gjuhë amalgamë ose përdoren fraza e fjali të tëra në gjuhë të huaj përderisa flitet shqip. Kjo çështje është tepër serioze dhe shqetësuese, jo vetëm për albanologët, por për mbarë shqiptarët.”- shprehet për Portalb, Ajten Hajdari-Qamili, profesoreshë e gjuhës shqipe pranë Fakultetit të Filologjisë ”Bllazhe Koneski”.

Sipas profesoreshës, “për ta trajtuar këtë dukuri rrënjësisht e në mënyrë profesionale, duhet analizuar nga këndvështrimi psikolinguistik dhe sociolinguistik: si, kur, ku, çfarë dhe pse ndikon diglosia, bilinguizmi, plurilinguizmi te folësit shqiptarë, gjegjësisht të shikohet aspekti pozitiv dhe negativ i tyre. Nga kjo analizë do të dalë se dygjuhësia apo shumëgjuhësia e mërgimtarëve shqiptarë, dëmton, gjymton dhe rrezikon shqipen, sepse amalgama apo cungimi gjuhësor ndërtohet gjithmonë në kurriz të shqipes dhe vetëm kur flitet shqip.”

“Faktorët kryesorë për këtë dukuri dihet se janë: përditshmëria dhe shkollimi i shqiptarëve në gjuhët e huaja të shteteve përkatëse ku jetojnë, mospërdorimi i gjuhës amtare (shqipe) në familje dhe shkollë, mosnjohja e shqipes në nivelin e mirëfilltë si gjuhë amtare, kompleksi i inferioritetit nga vendasit e shtetit ku jetojnë, por edhe i a.q. ”perëndimorizim” i rinisë shqiptare në mërgim, përkatësisht përpjekja që përmes gjuhës ”amalgamë” të dëshmojë që jeton në Perëndim dhe se është më ”perëndimor” sesa popullata vendase. Por, në fakt, kjo rini harron se kultura gjuhësore është pasqyrë autentike e nivelit të përgjithshëm kulturor të një popullate dhe se njeriu, i cili nuk krenohet, por fshihet nga vetvetja (kombi, feja, gjinia, raca, atdheu etj.) asnjëherë dhe nga askush nuk mund të vlerësohet e nderohet, por përkundrazi do të përbuzet e shkilet.”- sqaron Ajten Hajdari-Qamili.

Pyetjes se çfarë masash duhen marrë për ta parandaluar, më sakt për ta penguar apo ngadalësuar këtë dukuri, ajo iu përgjigj kështu: “Patjetër duhet ndërgjegjësuar mërgimtarët shqiptarë për vlerën dhe rëndësinë e gjuhës shqipe, sepse gjuha është elementi i vetëm që e ruajti identitetin e shqiptarëve ndër shekuj, edhe përkundër trysnive, përçarjeve e pushtimeve të ndryshme. Pastaj, vetëm përmes gjuhës mund të përcillet e kultivohet brez pas brezi edhe trashëgimia kulturore e shpirtërore kombëtare dhe vetëm në këtë mënyrë do të mund të pengohet asimilimi i  shqiptarëve në mërgim.”

“Mësoje mirë shqipen dhe fol shqip se je shqiptar!”- porositi profesoresha Qamili.

“Në qendrat e mëdha tregtare, në spitale apo barnatore në Zvicër të punësuarit mbajnë bexhe identifikuese, ku ju shkruan mbiemri i plotë. Nuk e dij pse po u fole të punësuarve shqiptarë shqip, ata të përgjigjen frengjisht?! Po çfarë do të jenë pasardhësit e këtyre njerëzve?! …Ka 15 vite që punoj në restoranin L’incontro dhe nuk po kuptoj pse prej 100 klientëve shqiptarë, vetëm 4 flasin shqip ndërsa 96 nuk dëshirojnë të identifikohen se janë shqiptarë: Edhe po të mos e kuptojnë fare menynë asesi nuk kërkojnë t’ua sqarojmë në shqip… Derisa të gjithë ‘racat’ tjera me kënaqësi flasin gjuhën e tyre, është për të ardhur keq që shqiptarët ndjehen të nënçmuar me gjuhën e nënës! E si mundet ndryshe t’i thonë kësaj përveç se ‘Asimilim pa pushtim, asimilim me vetëdëshirë’?!”- u shpreh për Portalb, Ejup Murati, mërgimtar në Gjenevë.

Një asimilim i mundshëm e tmerron aktivisten Anita Latifi.

“Do të ishte e tmerrshme nëse bëhej fjalë për asimilim (të çfarëdo forme). Dukurinë e përdorimit të gjuhës së vendit në të cilën jetojnë mërgimtarët edhe kur janë në vendlindje, do ta quaja “lëshim” kur bëhet fjalë për gjeneratat e pjekura dhe kapriço kur bëhet fjalë për rininë. Që të dyja këto mund të çojnë drejt asimilimit, por mendoj se numri i mërgimtarëve që mes veti nuk flasin shqip është dukshëm më i vogël nga mërgimtarët që vazhdojnë të komunikojnë në gjuhën amë, fatmirësisht.”- deklaron ajo për Portalb.

“Dikur ndoshta njohja e një gjuhe botërore mund t’i bënte fëmijët e mërgimtarëve të ndjehen superior ndaj familjarëve vendas, por sot ky fakt ka ndryshuar. Vogëlushet edhe në këto anë që në moshë të vogël flasin rrjedhshëm së paku anglishten, madje zhvillimi i teknologjisë u ka mundësuar që ata të mos ngecin prapa apo të mos dallojnë nga moshanikët e tyre në botë. Njëherit, është paradoksale në gjoksin e mërgimtarëve të shohish një shqiponjë dykrenëshe ari dhe po nga ai gjoks të dalë një anglishte, gjermanishte, suedishte…”-sqaron Latifi dhe porosit: “Gjuha është identitet, komuniko shqip!”/Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button