Shpërthen fabrika e fishekzjarrëve, 7 të vdekur në Bari

7 të vdekur e 6 të plagosur është bilanci i një shpërthimi në një fabrikë të prodhimit të fishekzjarrëve, në Modugno, në Bari të Italisë.

Fabrika “Bruscella” ishte duke punuar me kapacitet të plotë për përgatitjen e festimeve që ndodhin në vende të ndryshme në këtë periudhë. Në momentin e shpërthimit kanë qenë 14 persona në ndërtesë, transmeton Shekulli.

Fillimisht ka shpërthyer një furgon, e më pas ka marrë flakë e gjithë ndërtesa. Sipas dëshmitarëve shpërthimi ka qenë mjaft i fuqishëm.

Në vendngjarje kanë mburritur forcat e policisë si dhe zjarrfikësit, të cilët kanë izoluar të gjithë zonën. Ndërsa po punohet edhe për çaktivizimin me shpërthim të kontrolluar të eksplozivëve që ndodhen në fabrikë.

Flakët e fuqishme kanë detyruar ndërhyrjen e dy helikopterëve ushtarakë për hedhjen e ujit nga lart e ndalimin e përhapjes së zjarrit drejt një pylli aty afër.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe prokurori i qytetit të Barit, Xhuzepe Volpe, i cili i ka deklaruar për mediat se do të duhen të paktën 24 orë për të dhënë një bilanc zyrtar të kësaj ngjarje tragjike. Ndërkohë, vazhdojnë kërkimet për gjetjen e personave të tjerë. Të plagosurit po i nënshtrohen ndërhyrjes mjekësore në spitalin e qytetit.

Lajme të ngjashme

Back to top button